Salla Koncertale 'Germia'

Njohës të fushës së artit flasin për adaptimin e ish shtëpisë së mallrave 'Gërmia' në sallë koncertale

Komuna e Prishtinës ka shpallur projektin fitues për adaptimin e ish shtëpisë së mallrave ‘Gërmia’ në sallë të koncerteve.

Projekti me titull “One Roof – Germia for Concert Hall” i autorit japonez të njohur botërisht, Kengo Kuma, i cili bashkëpunoi me disa studio arkitekturore për të ardhur deri këtu, u shpall fitues për t’u përshtatur në ish shtëpinë e mallrave ‘Gërmia’, ku aktualisht gjenden Administrata Tatimore e Kosovës dhe një pjesë e Ministrisë së Infrastrukturës.

Adaptimi pa e prishur identitetin e objektit po shihet me skepticizëm nga njohës të fushës së artit.

Madje konsiderojnë se do kishte qenë më mirë që objekti për sallë të koncerteve të niste nga themelet.

Piktorja dhe ligjëruesja në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, Zake Prelvukaj, ka thënë se objekti i destinuar për sallë koncertale nuk përshtatet dhe se me ato para, sipas saj, do ishte më mirë të nisej objekt i ri nga themelet.

“Jo, nuk përshtatet, financimi me gjithë ato para do kishte qenë më mirë edhe për komunitetin muzikor të ishte një sallë e koncerteve prej fillimit. Si artiste mund të them se kam vizituar edhe objekte bashkëkohore, por edhe objekte klasike që janë përshtatur por nuk janë dëmtuar. Si shembull e kemi galerinë e Shkupit, ku nuk është dëmtuar objekti edhe pse i vjetër me shekuj. Nuk e di nëse ky objekt i ish ‘Gërmisë’ është në trashëgimi kulturore”,  ka thënë Prelvukaj për KALLXO.com

Projekti i Sallës Koncertale ‘Germia’

Prelvukaj tutje shtoi se ai objekt do ishte përshtatur shumë më lehtë për Muzeun e Arteve Bashkëkohore, pasi pikturat nuk kanë ku t’i lënë dhe po dëmtohen.

“Do ishte përshtatur shumë më shumë prej lartësisë dhe gjithë arkitekturën e asaj kohe që t’i përshtatet në këtë kohë për Muzeun e Arteve Bashkëkohore, sepse koncertet kur organizohen gjithmonë është një koncert klasik ose çfarëdo natyre, organizohet, planifikohet, thirren njerëz dhe është si lajm. Kurse, piktura si pikturë nëse nuk ia gjejmë shtëpinë e vet, piktura si pasuri vizuale që e identifikon një shtet, dëmtohet”, shtoi tutje Prelvukaj.

“Meqenëse është dhënë gjithë ai buxhet, më mirë të na ishte dhënë neve, pasi shumë pak punë do duhej për ta përshtatur, për arte të përgjithshme figurative, aplikative. Do kishte qenë shumë më mirë që këto punime të ruhen pasi është duke u bërë vonë. Ky shtet duhet njëherë e përgjithmonë t’i ketë institucionet për mbrojtjen e veprave tona sepse përndryshe as shteti nuk ruhet, nuk kemi as restaurues të mirëfilltë”, theksoi Prelvukaj.

Zeni Ballazhi, nga Fakulteti i Arteve në Universitetin e Prishtinës, gjithashtu konsideron se do ishte më mirë që ai objekt të ndahej për Muzeun e Artit Bashkëkohor dhe konsideron se një lokacion i ri do ishte më i përshtatshëm.

“Të them të drejtën unë personalisht dhe shumë të tjerë gjithmonë prej vitesh kemi qenë për vendosjen e Muzeut të Artit Bashkëkohor te ndërtesa e mbrojtur e ish-Gërmisë, si projekt më pak i kushtueshëm, më shpejtë i realizueshëm dhe më i përshtatshëm. Kjo nuk do të thotë që jemi kundër këtij investimi, por një lokacion i ri do të ishte më i përshtatshëm për kërkesat dhe specifikat që kërkon ky objekt”, ka thënë Ballazhi.

Tutje sipas Ballazhit, dizajnimi i projektit është mashtrim vizual, për shkak se ka hapësirë të vogël.

“Sa i përket projektit në fjalë dhe nga ajo që kemi parë lidhur me dizajnimin e projektit apo se si do të duket gjatë realizimit, mendoj se kjo është vetëm një mashtrim vizual. Salla Koncertale në dizajn duket bukur por në praktikë mendoj që nuk do t’i përmbush kushtet për koncertet e përmasave botërore, kjo duke u nisur nga hapësira e vogël e skenës dhe publikut në raport me hapësirat tjera të pashfrytëzuara. Modele të tilla dhe të papërshtatshme sot hasim edhe në rajon dhe në vende tjera më të zhvilluara. Dizajn i bukur në aspektin gjeometrik, por nëse do të realizohet, sa do të jetë praktik në aspektin promovues të artit, mbetet të shohim. Devijimet arkitekturore në objektin e ish shtëpisë së mallrave “Gërmia” do të mbesin vetëm një shije e bukur”, shtoi tutje Ballazhi.

Salla Koncertale ‘Germia’

Besa Luzha, profesoreshë në Fakultetin e Arteve, thotë se detyra për projektim të sallës është bërë bashkë me artistët, në një punëtori dhe se për specifika tjera janë marr arkitektët.

“Detyra projektuese për sallën, para se të shpallet konkursi është bërë bashkë me artistë, në një punëtori. Besoj se arkitektët i kanë marr parasysh të gjitha specifikat. Salla e madhe i ka 1000 ulëse, e vogla është sallë kamertale. Çështjet e aksustikës sigurisht janë të përfshira në projekt”, ka thënë Luzha për Kallxo.com.

Ndërsa, Arta Jashari, soliste në Filharmoninë e Kosovës tha se asaj si artiste nuk i hyn në punë shumë fasada apo objekti marr parasysh kushtet në të cilat punon.

Jashari konsideron se një sallë koncertale, si objekt mjaft kompleks, do duhej ndërtuar prej themelit e jo të adaptohej.

Arta Jashari, soliste

“Mua si Solo këngëtare, pjesë e pandashme e fushës në fjalë, aspak nuk më hyn në punë Fasada apo Objekti i ish- Gërmisë , nëse kjo e fundit paska qenë opcioni fundit, për mua si profesioniste, qëndrim ky i imi krahas kushteve të turpshme ku unë punoj dhe veproj tash e 21 vite. Një Sallë Koncertale, si objekt tejet kompleks dhe ku duhen varg ekspertësh, do duhej ndërtuar prej themelit dhe jo të adaptohej në një Shtëpi Mallërash. Meqë kaq na është ofruar, gjithëmonë bazuar në eksperiencën time prej 15 vitesh në Sallën e Kuqe, Bibliotekën Kombëtare, e objekte tjera totalisht jo të favorshme kundrejt profesionit tonë skenik – atëherë vërtetë preferoj çkado që mua më ofrohet, sesa ruajtja e një objekti për trashëgimi.  Fundja, meqë deri sot gjeneratat para nesh nuk kanë mberritur të na lanë pas një skenë prej muresh e dërrasash, unë mendoj se është me rëndësi, ne sot çfarë  arrijmë t’u lëmë trashëgimi atyre”, ka thënë Jashari.

Jashari tutje shtoi se nga ajo çfarë ka parë në projektin e prezantuar, sa i përket ruajtjes së objektit të ish-Gërmisë, ka qenë më shumë adaptim i një kafiterie në hapësirat rreth objektit, që është shumë e parëndësishme për të si artiste.

“Sa i  përket ruajtjes së ish-Gërmisë,  prezantimi i Projektit fitues ishte afro 3 minuta dhe prej atyre çfarë kam parë në video, 80 % e video prezantimit ishte adaptimi i një kafiterie me hapësirat rreth Objektit (totalisht e parëndësishme për mua si Artiste, sepse për Lokale e kafiteri jemi ikonë në rajon për vëllimin e tyre në Kryeqytet) Salla kryesore, në bazë të Grand Pianos së vendosur ne Skenë, duket qartazi se është mjaft e vogël për vendosjen e Korit apo formacionit të plotë të Orkestrit,  kjo varet sa janë përmasat e skenës për të diskutuar një gjë të tillë”, ka shtuar Jashari.

Solistja Jashari ka  përgëzuar Komunën e Prishtinës dhe Shpend Ahmetin që pas 21 vitesh janë marr me Sallën Koncertale dhe kanë arritur sot të diskutojnë për një projekt fitues.

 

Shpallet projekti fitues për Sallën Koncertale ‘Gërmia’