Tenori Ramë Lahaj i bën thirrje Komunës së Prishtinës ta gjejë një lokacion të ri për sallën koncertale

Ramë Lahaj, tenori kosovar me famë botërore nuk po pajtohet që salla koncertale në Prishtinë të ndërtohet në ish-objektin Gërmia. Sipas tij, më mirë është që të gjendet një lokacion i ri sesa të ndërtohet në të.

Përmes një reagimi në Facebook, Lahaj i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës që drejtohet nga Shpend Ahmeti që të gjejë një lokacion të ri.

“E kam potencuar disa herë që ne na duhet një objekt adekuat me disa salla e galeri universale në kuptimin qe t’i kemi të gjitha artet në të, andaj na duhet një sallë e mirëfilltë e jo e improvizuar marrë parasysh që në vet s’ia dolëm ta bëjmë t’u e pasë parasysh realitetin e 20 vjetëve të fundit”, ka thënë ai.

“Me irriton fakti që është bërë shumë presion që të ruhet objekti Gërmia që s’ka asnjë vlerë dhe nuk përfaqëson bash asgjë hiç, por që për taksirat na e jep një sallë të improvizuar e t’arnuar bash si do shtëpi t’djeguna t’pasluftës e t’renovuara që kurrë rahat n’to s’bohesh”, ka vlerësuar tenori kosovar.

Ky është postimi i tij pa ndërhyrje në facebook:

Më gëzon tej mase fakti që Prishtina do të bëhet me një sallë koncertale, për të cilën realisht jemi vonuar.

Me irriton fakti që është bërë shumë presion që të ruhet objekti Gërmia që s’ka asnjë vlerë dhe nuk përfaqëson bash asgjë hiç, por që për taksirat na e jep një sallë të improvizuar e t’arnuar bash si do shtëpi t’djeguna t’pasluftës e t’renovuara që kurrë rahat n’to s’bohesh.

Na janë dashur pritje 20 vjet që BE-ja të na e financojë një sallë koncertale se vet edhe 40 vjet të tjera s’e kishim bo tu e pasë parasysh vetëdijesimin e politikes për artin. Udhëheqësve që ende shkojnë në ahengje ku ‘qitet me allti’.

Jam i irrituar e jo dakord, si profesionist që i kam parë e përformuar në sallat më prestigjioze të botës në të katër kontinentet. Jam i irrituar se s’kemi nevojë për një objekt gjysmak e të improvizuar. Meqë kemi fatin e mbështetjes për një projekt kaq madhor e të rëndësishëm atëherë duhet të mendojmë dhe studiojmë mirë atë në çdo aspekt.

E kam potencuar disa herë që ne na duhet një objekt adekuat me disa salla e galeri universale në kuptimin qe t’i kemi të gjitha artet në të, andaj na duhet një sallë e mirëfilltë e jo e improvizuar marrë parasysh që në vet s’ia dolëm ta bëjmë t’u e pasë parasysh realitetin e 20 vjetëve të fundit.

Po i bëj thirrje edhe njëherë, Komunës së Prishtinës, që në qoftë se nuk është e mundur që objekti Gërmia të rrënohet e të ndertohet një qendër e re kulturore, atëherë te gjendet një lokacion që ka qasje të mirë dhe të kemi një qendër artesh funksionale.

Njohës të fushës së artit flasin për adaptimin e ish shtëpisë së mallrave ‘Gërmia’ në sallë koncertale