Skenë nga baleti "Ngulfatje", Foto: KALLXO.com

Shfaqja e baletit "Ngulfatje" vihet në skenë nga shkolla e muzikës “Prenk Jakova" (VIDEO)

Shkolla e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë ka realizuar baletin “Ngulfatje”. Ky balet me koreografitë profesor Driton Saqipit është shfaqur të enjten mbrëma në Teatrin “Oda”.

Të mbuluar nga qeset e plastikës, balerinët kanë treguar jo vetëm për ngulfatjen nga mbeturinat, por edhe ngufatjen që shoqëria po përjeton nga politika, nepotizmi, trafiku, etj.

Jeta Dida Bujari, drejtoreshë e shkollës “Prenk Jakova” tha pas shfaqjes se balerinët dhuruan një mbrëmje të magjishme.

“Këta fëmijë sonte mrekulluan të gjithë, unë besoj se gjithë publiku u nda i kënaqur dhe me të vërtetë kjo shfaqje meriton ta ketë reprizën menjëherë këto ditët e ardhshme sepse është shfaqje e përmasave tejet serioze të cilat tregojnë se në Kosovë ka shfaqje ka njerëz të talentuar, ka fëmijë të talentuar, por edhe profesor të përkushtuar të cilët mund ta qojnë artin e baletit përpara”- tha ajo.

Ajo ka thënë se edhe përkundër mungesë së theksuar të kushteve në shkollën që ajo drejton është duke u bërë një punë e mirë për mësimin e baletit.

Driton Saqipi, profesor i koreografisë në shkollën “Prenk Jakova” ka thënë për KALLXO.com se tema e baletit shpërfaq probleme mjaft aktuale që përballet shoqëria sot.

“Jo vetëm te në Kosovë, por është tabu në gjithë globin – plastika, qeset, kjo ka qenë tema kryesore, por jo vetëm, sepse ngulfatje nuk ka vetëm me plastikë-bërllok, siç po thoni ju, ngulfatje për momentin kemi edhe në politikë, kemi edhe në komunikacion, kemi edhe në punësime, në gjithçka që po na rrethon kemi ngulfatje. Prandaj, unë kam mëndu këtë temë pasi secili prej juve mund ta gjeni vetëm në një pjesë të shfaqjes të cilën e kemi realizuar”- ka thënë Saqipi.

Ndërkaq, Ryve Lutaj, nënë e një prej balerinëve të shfaqjeve, është shprehur mjaft e lumtur me prezantimin e fëmijës së saj.

“Si nënë jam shumë jam e gëzuar për djalin tim që e ka zgjedhur drejtimin e duhur dhe është i kënaqur që performon balet. Kam punuar shumë, qysh në moshë të vogël e kam pa që e  donë dhe e ka përzgjedhur që e ka dashtë nga zemra dhe unë veç e kam përkrahë atë dhe ja ku është sot. Jam nëna më e lumtur në botë që djalin ime performon në këtë shfaqje kaq të bukur”- tha ajo.

Ndërkaq balerinët e vegjël nuk e fshehën gëzimin nga suksesi i shfaqjes.

Balerina Rea Rexhepi tha pas shfaqjes se bashkë me shoqet e saj kanë arritur të japin një shfaqje që u pëlqye nga publiku.

“Mua më ka pëlqyer kjo shfaqje, jashtëzakonisht, kam kaluar shumë mirë sepse kam qenë me shoqërinë time dhe krejt jemi të afërt me njëri- tjetrin, edhe pse shfaqja ka qenë pak e gjatë shumë shpejt ka kaluar për ne me që jemi duke u kënaq gjatë kohës që e kemi bërë (realizuar)”- tha ajo.

Edhe balerina e vogël, Kanita Gashi, është shprehur e lumtur për interpretimin e saj në shfaqje.

“Ka qenë edhe e lehtë edhe e vështirë, ama ma shumë e lehtë. E vështirë gati s’ ka qenë hiq, ma shumë ka qenë e lehtë, ama në fillim kur kam ardhur ka qenë pak vështirë se më kam  thirr pak ma vonë, u kam pak ma zor në fillim se s’ kuptoja, tanin e kam kuptua krejt përnjëherë” – tha vogëlushja Gashi.

Në baletin “Ngulfatje” interpretuan edhe nxënës të shkollave tjera të Prishtinës.