Vjosa Osmani, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti

Në pritjen shtetërore për Ditën e Pavarësisë liderët nderojnë heronjtë, Kurti i përmend Thaçin, Krasniqin e Sejdiun

Tre krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryekuvendari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti organizuan pritjen shtetërore për nder të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në fjalimet e tyre, ata nderuan heronjtë e vendit, dëshmorët, martirët dhe të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e vendit.

Ata shprehën edhe mirënjohje për shtetet mike të Kosovës, veçanërisht për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e Bashkimit Evropian.

“Faleminderit ShBA, NATO dhe të gjitha shteteve mike që më 1999 ishin në anën tonë, në anën e drejtë duke na mbrojtur nga shfarosja” – tha presidentja Osmani.

Rrugëtimi i Kosovës, siç tha ajo, ishte gjithçka, por assesi i lehtë.

“Zoti e bekoftë republikën tonë dhe miqtë e saj” – ishte fjalia me të cilën Osmani përmbylli fjalimin e saj.

Kryekuvendari Konjufca nga ana e tij kujtoi edhe drejtuesit e luftës çlirimtare, që siç tha ai, padrejtësisht nuk po mund të festojnë bashkë për shkak se ndodhen në një proces akuzash të pabazuara.

Edhe kryeminstri Kurti i përmendi ish-liderët që e nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, dy prej të cilëve janë në paraburgim në Hagë, Hashim Thaçi e Jakup Krasniqi.

Ai u shpreh se Republika e Kosovës është vendi më i ri në hartën politike të Evropës por edhe njëra nga demokracitë më të shëndosha në zhvillim në tërë kontinentin tonë.

“Mijëra civilë u vranë dhe u masakruan, mes të cilëve edhe fëmijë gra e pleq. Dhjetëra mijëra u dhunuan e qindra mijëra u dëbuan, teksa fshatra e qytete të tëra u dogjën, u shkatërruan u plaçkitën” – shtoi ai.

Për nder te kësaj dite, tre udhëheqësit kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, te varri i veprimtarit, Adem Demaçi dhe në Kompleksin e Jasharajve. Ata po ashtu bënë nderime dhe vendosën kurora lulesh te lapidari i policëve heronj të rënë në detyrë.

Kosova e shpalli Pavarësinë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Deklarata e Pavarësisë ishte lexuar nga Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Kosovës.