VIDEO - Krerët shtetërorë të Kosovës kërkojnë drejtësi për masakrën e Reçakut

Në 25-vjetorin e masakrës së Reçakut, fshatin e kthesës së historisë së re së Kosovës, e vizituan krerët më të lartë shtetërorë.

Presidentja Vjosa Osmani nga vendi ku mbetën të masakruar 45 civilë shqiptarë tha se nga aty po thirrin për drejtësi.

“Ne sot jemi këtu për të thirrur për drejtësi për 45 civilët që u vranë nga forcat serbe. Jemi këtu për të nderuar të rënët. Jemi këtu për të falënderuar ambasadorin Walker që u bë zë për ne. Është pikërisht ky që përmes tij u bë zë i joni” – tha Presidentja Osmani.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se masakra e Reçakut bëri që bota të marr vesh se çfarë po ndodhte në Kosovë.

“Jemi mbledhur këtu në Reçak. Kjo masakër shënoi vijën e kuqe në arenën ndërkombëtare që bëri të kuptoj bota për atë që po bëhet në Kosovë” – deklaroi Konjufca nga Reçaku.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Ëilliam Ëalker që dëshmoi masakrën e Reçakut është ndërkombëtari më i urryer në Serbi.

“Masakra e Reçakut bëri të domosdoshme ndërhyrjen ndërkombëtare që ta ndalë këtë gjenocid. E vërteta ka shumë rëndësi. Atëkohë William Walker erdhi ne fshat dhe pa çfarë ka ndodhur. Sot e kësaj dite mbetet ndërkombëtari më i urryer në Serbi. Me 15 janar në dimër të ftohtë ka ndodhur ky krim makabër e më pas edhe lufta për kufoma për katër javë” – deklaroi Kurti.

Masakra e 15 janarit 1999, ndër më të rëndat të mbajtura në mend e të dokumentuara, ndryshoi përgjithmonë historinë e Kosovës.

Masakra e Reçakut ka qenë shkas për të filluar bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë dhe Serbi.