Në 2021-n, AKP nuk arriti të arkëtoj të hyrat nga shitja e aseteve me negocim direkt

Auditori i përgjithshëm në raportin e vitit 2021 gjeti se Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), nuk kishte arritur të arkëtoj të hyra nga shitja e aseteve me negocim direkt.

“Në gjashtë (6) raste kemi vërejtur që, AKP nuk kishte arritur të arkëtoj të hyrat nga shitja e asteve me negocim direkt në afatet kohore të përcaktuara me rregullore. Vlera e tyre ishte 200,654. Më tej, sipas informatave/shënimeve të ofruara nga zyrtarë përgjegjës në AKP si dhe nga regjistri i llogarive të arkëtueshme, ekzistojnë edhe 41 raste të tilla në vlerë financiare prej 566,465 për të cilat ka përfunduar afati i pagesave”, thuhet në gjetjen e raportit.

Sipas raportit, kjo ka ndodhur për shkak të mos respektimit të afateve nga palët dhe mos marrja e ndonjë veprimi nga Kryesuesi i Njësisë për të informuar nivelet relevante sipas hierarkisë/organogramit për caktimin e afateve kohore shtesë lidhur me përmbushjen e detyrimeve financiare.

Auditorit bazohet në rregulloren për shitjen e aseteve të caktuara të Ndërmarrjeve Shoqërore me negocim direkt, neni 29.5 përcakton si në vijim: nga dita e njoftimit të palës për miratimin përfundimtar të shitjes nga Bordi i Drejtorëve, detyrimi i palës për pagesën e çmimit kontraktues është 45 ditë, me përjashtim të rasteve për të cilat pagesat kontraktohen në faza periodike. Më tej, neni 29.6 përcakton: në varësi të natyrës së çështjes dhe rrjedhës së procedurës, Kryesuesi i Njësisë cakton afate kohore lidhur me kryerjen e ndonjë veprimi ose përmbushjen e ndonjë detyrimi të caktuar.

Nga mos respektimi i afateve ligjore nga palët sipas auditorit ndikon që rastet të mbesin pezull dhe mos të merren si të finalizuara, po ashtu dëmtojnë interesat ndaj AKP-së dhe nuk flasin për performancë të mirë dhe arritje të objektivave të saj, andaj bordit të drejtorëve ju rekomandua të shtoj kontrollin e brendshëm.

“Bordi i Drejtorëve të AKP-së duhet të shtoj kontrollin e brendshëm lidhur me arkëtimin e të hyrave nga shitja e aseteve me negocim direkt si dhe të ndërmer veprimet e duhura në rastet kur pagesat nuk arkëtohen brenda afateve”, rekomandon raporti.

Nga menaxhmenti i AKP-së janë pajtuar me gjetjen e raportit.

Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 24 qershor 2022 nga zëvendësuesi i Drejtorit Menaxhues Avni Jashari,  konfirmohet se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me të gjeturat e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për “Raporti i auditimit për pasqyrat vjetore të fondit të mirëbesimit për vitin 2021”.