Në 12 vjetorin e Pavarësisë lansohet platforma për heronjtë e Kosovës

Në platformën “Trimat.al”, e cila është lansuar sot, në 12 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, mund të kërkohen heronjtë që kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës.

Heronjtë mund të kërkohen përmes emrit dhe përmes zonës në të cilën ata kanë luftuar.

Tre heronjtë që kryesojnë listën janë Adem Jashari, Agim Ramadani dhe Fehmi Lladrovci, të ndjekur edhe me dëshmorë të tjerë.

Për secilin prej tyre, ekzistojnë të dhëna se kur kanë lindur, kur kanë vdekur, zonën ku kanë luftuar, biografi dhe video.

Në këtë platformë thuhet se informacionet në lidhje me heronjtë janë konfirmuara nga burime të sigurta.

“Të gjitha informacionet që gjenden në platformë janë të konfirmuara nga familja e heroit ose nga historianët. Ne do të kujdesemi që çdo informacion të jetë i saktë gjithmonë. Prandaj, pranë çdo heroi ekziston fusha “Burimi” e cila tregon për origjinën e informacioneve”, thuhet në platformën “Trimat.al”.

Të interesuarit, të cilët nuk janë njohës të gjuhës shqipe, por që duan të dinë më shumë për dëshmorët mund të kërkojnë edhe në gjuhën angleze.

“Nëse keni miq të huaj që duan të informohen në lidhje me jetën dhe veprën e heronjve tanë, ju mund ta ndërroni gjuhën e platformës dhe pastaj të dhënat e heroit shfaqen në gjuhën angleze. Në fund, ju mund ta ndani linkun me miqtë tuaj”, thuhet në platformë.

Të interesuarit për këtë platformë dhe të dhënat që i përmban e njëjta në lidhje me heronjtë e Kosovës mund t’i gjeni KËTU.