
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
“Kur e nënshkrova deklaratën e kuptova se po shkruaja historinë”: Kosova, 17 vjet shtet
“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate, shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik” – është fjalia e lexuar në Deklaratën e Pavarësisë nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, e cila ka mbetur e ngulitur në mendjen e qytetarëve sa herë që kujtohet 17 shkurti i vitit 2008.
17 vjet kanë kaluar nga ajo ditë e cila u prit me emocione nga më të ndryshmet nga qytetarët e shumtë, por edhe nga vet ata që ishin në sallën e Kuvendit të Kosovës, aty ku u bë shpallja dhe u nënshkrua akti i Pavarësisë.
“Kur nënshkrova deklaratën e kuptova se po shkruaja historinë” – thotë Njomza Emini teksa kujton Ditën e Pavarësisë. Njomza ishte deputetja më e re në moshë kur u shpall pavarësia e Kosovës.
Ajo kujton se brohoritjet, gëzimi e flamujt në Prishtinë ishin dëshmi e asaj që u arrit si shtet.
“Momenti më i veçantë për mua ka qenë nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë. Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme të vendosja nënshkrimin tim në një dokument që vuloste ëndrrën shekullore të popullit të Kosovës” – thotë Emini.
Ajo thotë se në ato momente ndjente peshën historike dhe përkushtimin për të punuar për një Kosovë të lirë dhe të zhvilluar.
“17 shkurti 2008 është dita më e rëndësishme e jetës sime politike dhe një nga momentet më të paharrueshme të historisë së Kosovës. Ishte një ditë e mbushur me emocione të jashtëzakonshme – gëzim, krenari dhe ndjenja e përgjegjësisë për të ardhmen e vendit tonë” – thotë Emini për KALLXO.com.
17 vjet kanë kaluar nga ai moment e shumë gjëra kanë ndryshuar në Kosovë. A ka mundur të bëhet diçka më mirë? Pa dyshim se po, por edhe sukseset e vendit janë të dukshme.
Për Valon Murtezajn, profesor i Negocimit Ndërkombëtar, Menaxhimit të Konflikteve dhe Diplomacisë në IESEG School of Management në Francë, Kosova për 17 vjet ka bërë përparime të dukshme në secilën fushë.
“Përfshirë këtu krijimin e institucioneve demokratike, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e shtetësisë në dimension ndërkombëtar. Derisa sot Kosova reflekton mbi këto 17 vite pavarësi, ajo mbetet e angazhuar për forcimin e institucioneve demokratike, gjetjen e mënyrave për rritje ekonomike dhe mirëqenies dhe avancimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë duke u përpjekur gjithashtu të adresojë sfidat që vazhdojnë të formojnë rrugën e saj përpara si një shtet i ri i pavarur dhe demokratik” – deklaroi Murtezaj për KALLXO.com.
Sfidat e shtetit
Se Kosova ka përparuar që nga Dita e Pavarësisë nuk ka dyshim as për Njomza Eminin, megjithatë ka ende sfida.
“Kemi ndërtuar institucione, kemi fituar njohje ndërkombëtare dhe kemi treguar se jemi një shtet me potencial të madh. Megjithatë, kemi ende shumë punë për të bërë në zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe krijimin e mundësive më të mira për rininë tonë. Është koha që të gjithë të angazhohemi për ta çuar Kosovën drejt një të ardhmeje më të ndritur” – shton tutje Emini.
Demokracia është ajo që kosovarët e kanë kërkuar me vite e që nga 2008, vendi konsiderohet se ka ndërtuar shtetësinë e saj mbi këto parime, kjo e vërejtur edhe tek mbajtja e zgjedhjeve dhe promovimi i një qeverisje përfaqësuese.
Murtezaj konsideron se bashkëpunimi i Kosovës ndër vite me partnerët ndërkombëtarë ka kontribuar në ndërtimin e një bazë për stabilitet politik afatgjatë dhe për siguruar njohjen ndërkombëtare më të gjerë.
Dëshmi e demokratizimit të Kosovës sipas Murtezajt janë edhe zgjedhjet e fundit për Kuvend të Kosovës, të cilat u zhvilluan në mënyrë demokratike. Kjo sipas tij, është arritje e madhe në kohën kur demokracia globalisht është nën kërcënim.
“Rruga e Kosovës e shtetndërtimit të saj ka qenë e mbështetur në përmbushjen e kritereve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, që mbetet një hap i rëndësishëm për të ardhmen e saj. Megjithatë, nganjëherë polarizimi politik vazhdon të paraqesë sfida, dhe herë-herë duke minuar debatet konstruktive dhe qeverisjen. Kjo thekson nevojën për një bashkëpunim më të madh përtej spektrit politik kur kemi të bëjmë me tematika të interesit nacional” – thekson Murtezaj.
Ndonëse që nga 17 shkurti i vitit 2008, Kosova ka shënuar rritje ekonomike, ai megjithatë thotë se ende ka pengesa dhe pasoja.
“Këtu mund të theksohen papunësia dhe tendenca e migrimit, si dhe mungesa e luftimit adekuat të korrupsionit. Me një popullsi të re Kosova ka potencialin të bëhet një qendër interesante ekonomike në rajon. Por duhet theksuar që zhvillimi ekonomik është i lidhur ngushtë me marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës, dhe vazhdimi i integrimit në BE mund të hapë mundësi të reja” – shton profesori Murtezaj.
Synimet e Kosovës
Ndonëse përparimi i Kosovës është evident, synimi i 17 shkurtit 2008 nuk është arritur sipas Eminit.
“Shumë nga idealet për të cilat kemi punuar kërkojnë ende përkushtim dhe angazhim të madh. Ende kemi sfida në proceset e integrimit ndërkombëtar dhe në ngritjen e standardit të jetesës për të gjithë qytetarët. Por besoj fort se me vendime të drejta dhe një angazhim të vazhdueshëm, mund ta arrijmë atë vizion që kishim kur shpallëm Pavarësinë” – shton ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës.
117 shtete kanë njohur zyrtarisht shtetësinë e Kosovës sipas listës së njohjeve të publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, por këto njohje nuk i mjaftojnë një shteti.
Në Shkencën Politike thuhet se për të qenë shtet një entitet duhet të ketë territor, popullatë, një qeverisje të konsoliduar dhe aftësinë për të hyrë në marrëdhënie me shtetet tjera. Viteve të fundit shihet si e rëndësisë së veçantë në Marrëdhënie Ndërkombëtare që vendet të mund të jenë pjesë e Organizatave Ndërkombëtare.
Republikës së Kosovës ende i mungon anëtarësimi në Bashkimin Europian, Aleancën e NATO-s, Organizatën e Kombeve të Bashkuara por edhe Organizata tjera.
E njohja ndërkombëtare e Kosovës, sipas profesorit Murtezaj mbetet aspekt qendror drejt konsolidimit të shtetësisë.
“Edhe pse janë bërë përparime të konsiderueshme, arritja e njohjeve të reja dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, si dhe pranimi i gjerë global duhet të jenë përpjekje e vazhdueshme diplomatike dhe politike. Njohja nga pesë shtetet e mbetura të Bashkimit Evropian duhet të jetë prioritet për diplomacinë e Kosovës. Poashtu angazhimi serioz në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, nën lehtësimin e BE-së, duhet të mbetet në fokus” – thotë Murtezaj.
Si qëllime afatgjatë të Kosovës, sipas tij duhet të mbesin integrimi në institucionet ndërkombëtare, anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe në organizatat tjera, duke përfshirë NATO-n.
Kosovën që ende është ‘adoleshente’ megjithatë e presin sfida të shumta në muajt që vijnë.
Profesori Murtezaj thekson se duhet angazhim për qeverisje të mirë, sundim ligji dhe luftë ndaj korrupsionit. Me rëndësi të veçantë është edhe krijimi i mjedisit ku respektohen të drejtat e liritë e njeriut për secilin qytetar, duke ofruar mundësi të barabarta për të gjithë.
“Në një dimension tjetër, përmirësimi i mirëqenies dhe jetës në përgjithësi, që nënkupton zhvillim ekonomik, arsim më të mirë, dhe shëndetësi cilësore në dispozicion të qytetarëve. Poashtu angazhimet ndërkombëtare të Kosovës, që kanë synim ndërtimin e relacioneve ku Kosova njihet si partner i besueshëm, vend demokratik dhe evropian, që promovon dhe ofron vlera evropiane, jo vetëm brenda Kosovës, por edhe në sistemin ndërkombëtar” – thotë ai.
Me gjithë përparimet, sfidat që janë kaluar e ato që e presin Kosovën, qytetarët e saj festojnë ditën në të cilën shumica nga ta ishin të ulur para televizorit dhe po prisnin momentin e shpalljes së Pavarësisë.
E pikërisht për qytetarët, ish-deputetja më e re në Kuvendin e Kosovës ka një porosi.
“Pavarësia ishte vetëm fillimi. E ardhmja e Kosovës është në duart tona, në duart e liderëve tanë dhe është përgjegjësia jonë ta bëjmë vendin tonë më të fortë, më të drejtë dhe më të zhvilluar për gjeneratat që vijnë” – është ajo që porosit Emini.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.
Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Deklarata e Pavarësisë ishte lexuar nga Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Kosovës.
Vendi i parë që e njohu pavarësinë e Kosovës ishte Kosta Rika, më 17.02.2008, ditën e shpalljes së saj.
Ndërsa, një ditë pas, më 18.02.2008 erdhën edhe gjashtë njohje të tjera. Vendi i dytë që e njohu Kosovën shtet ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastaj Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar.
Ndërsa, shteti i fundit që e ka njohur Kosovën shtet është Izraeli më 05.09.2020.