
17-vjetori i shtetësisë, institucionet shpalosin aktivitetet kulturore për shënimin e Ditës së Pavarësisë
Aktivitete të shumta kulturore janë planifikuar të mbahen anekënd vendit me rastin e shënimit të 17 Shkurtit- Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Përveç Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK), një pesë e aktorëve të të cilit ende janë në grevë, institucionet tjera kulturore e artistike tashmë kanë bërë publike aktivitetet që do t ‘i mbajnë për shënimin e kësaj dite.
Institucionet kanë bërë të ditur se aktivitetet për shënimin e festës shtetërore do të shtrihen edhe më 18 e 20 shkurt 2025.
Filharmonia e Kosovës
Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbajnë një koncert solemn për shënimin e Ditës së Pavarësisë.
Ky koncert mbahet më 17.02.2025 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë dhe do të nis nga ora 20:00. Gjatë koncertit do të interpretohen vepra të kompozitorëve shqiptarë e të huaj.
Dardan Selimaj, ushtrues i detyrës së drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, ka thënë për KALLXO.com se pas intonimit të Himnit të Kosovës do të interpretohet “Suitë ilire” nga kompozitori Mark Kaçinari e në orkestrim të Kristë Lekajt- në interpretim të orkestrës.
“Sivjet shënojmë edhe 90-vjetorin e lindjes së kompozitorit Kaçinari. Tutje do të interpretohen 3 vepra premierë të kompozitorëve nga Kosova, ‘Fantazi për piano’ nga kompozitori Blond Krasniqi me solist pianistin e mirënjohur nga Maqedonia e Veriut Shkëlzen Baftijari, poema simfonike ‘Mizer – Reçak’ nga Liburn Jupolli dhe kantata për mexosoprano, kor dhe orkestër ‘I miri i motrës’ nga Korab Shaqiri me soliste mexosopranon Flaka Goranci. Koncerti do të përmbyllet me ‘Vendi im’ për kor dhe orkestër nga Valton Beqiri e shkruar mbi motivet e këngës ‘Mallëngjimi’. Koncerti do të dirigjohet nga Baki Jashari”- ka thënë ai.
Baleti Kombëtar në Mitrovicë
Baleti Kombëtar i Kosovës (BKK), ashtu si çdo vit tjetër, ka planifikuar që edhe për këtë përvjetor të Pavarësisë së Kosovës të ketë shfaqje. Por, Sinan Kajtazi, drejtor i BKK-së, ka thënë për KALLXO.com, se greva në Teatrin Kombëtar po u krijon probleme pasi shfaqjet i realizonin në sallën e këtij teatri. Megjithatë, BKK ka njoftuar se për nder të Ditës së Pavarësisë do të shfaqë në Mitrovicë, baletin “Hope”.
“Në kuadër të festimeve për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Baleti Kombëtar i Kosovës prezanton para publikut të Mitrovicës shfaqjen ‘HOPE’, një vepër artistike e fuqishme me koreografi nga Sead Vuniqi”- thuhet në njoftimin e BKK-së.
Shfaqja do të jepet më 18.02.2025, në Qendren e Kulturës në këtë qytet.
“Shota” në Suharekë e Prizren
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” do të mbajë dy koncerte për shënimin e 17 Shkurtit. Një mbahet sot, më 16.02.2025, në Suharekë në shtëpinë e kulturës, “Ukë Bytyqi” dhe nis në ora 18:00. Ndërsa nesër në mbrëmje, më 17.02.2025, në Prizren “programi do të përfshijë valle dhe këngë tradicionale, me një repertor të pasuruar për këtë rast të veçantë”.
Ndërkaq, Opera e Kosovës, për ndër të festës së Pavarësisë do të bëjë promovimin e një librit për këngët popullore lirinë shqiptare, që prezantohet më 20.02.2025, në modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës.
“Opera e Kosovës për nder të Pavarësisë së Kosovës, ka paraparë aktivitetin në fjalë: Promovim-botimi i këngëve popullore lirike shqiptare me autor: Dirigjentin dhe orkestruesin nga Shqipëria Edmond Doko. Më pas do të ketë koncert me ansamblin e tunxhit nga Shqipëria me solistët e Operës së Kosovës Liridon Sadriu – Tenor dhe Elona Sadiku – Mezzosoprano, si dhe me mysafirë: Ansambli vokal ‘Okteti Plus’”- ka thënë Meriton Ferizi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Operës së Kosovës.
Ekspozitat
Biblioteka Kombëtare, Kombëtare, “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, ka njoftuar se nesër, më 17.02.2025 në hollinë saj, do të organizojë një ekspozitë multimediale: “Pavarësia e Kosovës në shtypin shqiptar”.
“Ekspozita përqendrohet në pasqyrimin e kësaj ngjarjeje historike nëpërmjet pamjeve nga shtypi i kohës, si një mënyrë efektive dhe e fuqishme për të shprehur ngjarjet historike të asaj periudhe dhe për të pasuruar kujtesën kolektive”- thuhet në njoftimin saj.
Një ekspozitë do të mbahet edhe në Ferizaj. Në galerinë e këtij qyteti mbahet ekspozita “Gursel Sulejmani”.
Aktivitete për shënimin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës janë paralajmëruar të mbahen në pothuajse të gjitha komunat e Kosovës.
17- vjet shtet
Pavarësia e Kosovës është shpallur më 17 shkurt 2008 nga Kuvendi i Kosovës. Pas votimit të aktit të Shpalljes së Pavarësisë, deputetët e Kuvendit të Kosovës, nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë mbi një pergamenë mijëravjeçare.
Pergamena ku u shkrua Deklarata e Pavarësisë, Kosovës u dhurua nga Muzeu i Londrës.
Kosova është Republikë parlamentare dhe ka flamurin, stemë dhe himnin e saj.