Ndotja e ambientit nga ndezja e furrave të gëlqeres, alarmon institucionet në Shtime | Foto: Policia e Kosovës

Ndotja e ambientit nga ndezja e furrave të gëlqeres, alarmon institucionet në Shtime

Policia e Kosovës në Shtime ka mbajtur një takim të përbashkët me përfaqësues nga Ministria e Ambientit, Inspektoratin për Ruajtjen e Mjedisit dhe Ambientit nga komuna e Shtimes, komandantin e Stacionit të Policisë në Suharekë dhe Shefin e Njësisë për Hetimin e Krimeve Mjedisore për të diskutuar për parandalimin e ndotjes së ambientit në rajonin e Shtimes nga ndezja e furrave të gëlqeres në këtë komunë..

Në këtë takim, veç tjerash është diskutuar edhe situata e sigurisë në rajonin e Shtimes, e cila është vlerësuar të jetë e qetë, stabile dhe e menaxhuar.

Ndërsa për parandalimin e dukurisë së ndotjes së mjedisit dhe ambientit në këtë rajon është rekomanduar që të merren masa shtesë.

Përmes një komunikate për media, policia ka njoftuar se stacioni policor në Shtime i kanë ndërrmarrë veprimet e nevojshme dhe kanë zhvilluar procedura hetimore në koordinim me inspektorët e komunës së Shtimes.

Tutje në komunikatë thuhet se, policia do të mbështesë dhe do të asistojë çdo herë inspektorët e komunës, por edhe të Ministrisë për parandalimin e kësaj dukurie dhe ndëshkimin e personave, me qëllim të ruajtjes së mjedisit në këtë rajon.

Ndërkohë që Policia ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë.