Shndërrimi i mbetjeve ushqimore në rroba

Duke bashkëpunuar me tregtarë frutash dhe perimesh, si dhe me amvisëri, për të mbledhur mbetje ushqimore, jordanezja Batoul Alrashdan i shndërron mbeturinat e njerëzve në rroba.

Ajo mbledh lëvozhga qepësh, portokajsh, mangosh dhe kivish nga tregtarët e pemëve dhe perimeve dhe nga amvisëritë.

Ajo i shndërron mbetjet në biotekstile për të prodhuar rroba dhe aksesorë, si çanta dore e çanta laptopësh.

Alrashdan thotë se synimi i saj është të minimizojë ndikimin mjedisor të industrisë së modës.

“Ne të gjithë e dimë se shumë qese plastike janë duke u përdorur tani. Plastika po ashtu po hyn në disa tekstile në industrinë e modës, dhe kjo është shumë e dëmshme për mjedisin, veçanërisht kur njerëzit vendosin t’i hedhin ato. Unë kam vendosur të përdor mbetjet ushqimore për të krijuar diçka të ngjashme me plastikën, por kjo plastikë është biodegraduese, mund të dekompozohet kur nuk na duhet më dhe nuk i shkakton dëme mjedisit” – thotë ajo.

Alrashdan i ka prezantuar produktet e saj në Evropë dhe Dubai dhe i shet ato përmes internetit./REL