Luftimi i korrupsionit në mjedis e shëndetësi

Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile dhe i Medieve ka mbajtur sot një konferencë me temën “Fuqizimi i Kapaciteteve të Shoqërisë Civile për luftimin e korrupsionit” ku kryesisht u diskutua shkatërrimi i lumenjve dhe problemet në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

Këtë konferencë e hapi ambasadorja Nancy Soderberg, e cila është Drejtoreshë e Lartë Rezidente e NDI në Kosovë. Ajo tha se demokracia është nën sulm nëpër botë. Në Ballkan tha që ka korniza të mira ligjore, por transparenca dhe llogaridhënia qeverisëse shpeshherë dështojnë. Megjithatë, ajo tha se ka shpresë dhe NDI është krenare që ka punuar me grupe të shoqërisë civile duke kombinuar ekspertizat e tyre në luftën kundër korrupsionit.

Drejtoresha e NDI, Nancy Soderberg

Visar Prebreza, redaktor në BIRN foli për gjetjet e tyre lidhur me gjendjen e lumenjve Drini i Bardhë dhe Mirusha. Ai tha se në këto dy lumenj kanë parë gjendje shqetësuese me ujëra të zeza, mbeturina, mbetje të kafshëve e eksploatim të zhavorrit.

Rreth Drinit të Bardhë, Prebreza tregoi që ka biznese që ujërat e zeza i derdhin aty, e problem tjetër është se ka shumë pak impiante.

“Me ecjen rreth Drinit kemi pa edhe shumë mbeturina. Kosova është vend që s’ka asnjë taksë për qeset e plastikes. Edhe pse përmendet që sa kohë, qeveria s’ka gatishmëri me i ndal ose me vendos një taksë, qysh kanë vepru vendet e tjera” – u shpreh ai.

Për mbeturinat e kafshëve ai kujtoi që në Kosova ka fituar donacion për ndërtimin e një fabrike për përpunimin e mbetjeve të kafshëve, e cila ka filluar por ende nuk ka mbaruar, gjë që sipas tij lidhet me korrupsion.

Një tjetër problem serioz që u përmend nga ai është edhe eksploatimi i zhavorrit, për të cilin tha se është biznes fitimprurës në Kosovë sepse qeveria në 10 vitet e fundit është fokusuar në asfaltim dhe ai zhavorr është përdorur për shtrimin e këtij asfalti.

“Shteti nuk e ka bërë kriter që kompania fituese me kallxu ku e ka marrë zhavorrin. Këtë e ka bërë sepse njerëzit që e kanë eksploatu zhavorrin janë të lidhur me politikë ose vetë politika” – tha ai.

Gjendja e njëjtë tha që është edhe në Mirushë. Mirëpo, theksoi se këtë hulumtim do ta vazhdojnë dhe kjo është vetëm faza fillestare.

Redaktori i BIRN, Visar Prebreza

Redaktori i BIRN-it tregoi që kanë analizuar edhe disa aktgjykime për ta parë se si janë dënuar njerëzit që kanë shkatërruar ambientin. Ajo që kanë parë është se shumica e dënimeve për eksploatim të zhavorrit janë dënime me kusht ose me gjoba. Ndërsa, ata që bëjnë prerje ilegale të druve dënohen me burg.

Ai pyeti nëse është më keq të shkatërrohet shtrati i lumit apo prerja e druve. Siç tha ai, Kodi Penal thotë që është më keq të shkatërrohet lumi.

“Pse ndodh kjo? Sepse ata që e eksploatojnë zhavorrin janë biznesmenë, kanë pare, kanë ndikim, kanë lidhje politike. Njerëzit të cilët bëjnë prerje të druve, e bëjnë atë për mbijetesë” – tha Prebreza.

Diçka tjetër që ai tregoi që e kanë vërejtur është se gjykata nuk e merr parasysh kur një person është recidivist dhe i dënon sërish me gjobë.

Darko Dimitrijevic nga Radio Gorazdevac foli për gjendjen e lumit Ibër dhe ndotjen industriale që i bëhet këtij lumi.

Selatin Kllokoqi nga Organizata Dplus tha se sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës mbetjet industriale në vitin 2020 kanë qenë 2 milionë e 100 mijë tonë, ndërsa në vitin 2021, mbetje të trajtuara kanë qenë rreth 505 tonë.

Për të korniza ligjore e vendit është shumë e mirë, por realiteti në terren dallon shumë nga ajo kornizë.

“Kemi parë edhe mbledhjen e mbeturinave në spitale pa kurrfarë ndarje. Në të kaluarën kemi pasë raportime të ndryshme për keqpërdorim e keqmenaxhim të tenderëve për asgjësim të mbetjeve spitalore” – tha ai.

Numri i mbeturinave të reciklueshme siç tha ai është shumë i vogël në krahasim me vendet e BE-së, ndonëse Kosova për kokë banori prodhon shumë më pak mbeturina.

Në fazën e dytë të hulumtimit, ai tha se duan ta shikojnë se si mund të ndalet hedhja ilegale e mbeturinave.  Ai po ashtu kërkoi zgjidhjen e mungesës së inspektorëve.

Fatlije Buza nga Ministria e Mjedisit tha se janë të vetëdijshëm për gjendjen dhe janë duke bërë maksimumin. Megjithatë vlerësoi se ka shumë dënime për shkelje të tilla.

Në pjesën e dytë të diskutimit u fol për problemet e shumta në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore.

Allen Meta nga D4D tregoi që një prej pikave ku janë bazuar ka qenë hulumtimi i grupit KOHA për keqpërdorimet në këtë institucion.

Saranda Ramaj, gazetare në grupin KOHA dha një historik të shkurtër për programin për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, duke treguar që programi në fjalë është në Kosovë prej fillimit të vitit 2000, ndërsa pati zhvillim më të hovshëm në vitin 2014 për shkak të dyfishimit të buxhetit. Ajo tregoi që ka ndryshuar së funksionuari në vitin 2018.

Gazetarja e grupit KOHA, Saranda Ramaj

Ky program ka qenë pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë deri në 2018, ndërsa nga atëherë është pjesë e Fondit për Sigurime Shëndetësore. Qëllimi i këtij fondi është subvencionimi i pacientëve që nuk gjejnë shërim në Kosovë.

Ramaj foli për disa shkelje e keqpërdorime që kanë ndodhur në këtë fond, që kanë çuar në borxhe milionëshe.

Valon Fana, gazetar në Internews tha që as udhëzimi administrativ që rregullon këto trajtime e as lista me sëmundjet që nuk trajtohen në Kosovë nuk janë përditësuar që nga viti 2017.

Ai e ngriti si pyetje se pse është lejuar kjo situatë dhe kujt i ka konvenuar.

Gazetari i Internews Kosova, Valon Fana

Albana Hashani nga Lëvizja FOL, tregoi për monitorimin që kjo organizatë i ka bërë aktiviteteve të prokurimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ushtruesi i Detyrës i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Bujar Kaçuri, tregoi që ish-menaxhmentet asnjëherë nuk kanë raportuar borxhin real në Ministrinë e Financave e as në organet e tjera.

“Nuk është respektuar asnjëherë buxheti i alokuar, janë lëshuar fletëvotimet duke tejkaluar buxhetin e  alokuar për këtë progam, dhe për pasojë janë krijuar borxhe të cilat janë sot” – tregoi ai.

Ky borxh tha që duhet të trajtohet në nivel shtetëror dhe të riverifikohen dhe auditohen lëndët.

Ai shtoi se përveç mundësisë së kontraktimit të shërbimeve me spitalet shteti nuk ka mundësi tjera për t’ju ofruar mbështetje pacientëve.

Ai gjithashtu e konsideroi si mundësi edhe kërkimin e ndihmës nga Ambasada e Kosovës në Turqi lidhur me gjendjen aktuale.

Donjeta Pllana – Hajdari, kryesuese e bordit të programit për trajtim jashtë institucioneve publike, e cila ka marrë këtë pozitë në gusht të këtij viti tha se pasi që ka analizuar ngjarjen ka kërkuar që të rishikohet lista dhe ka organizuar një takim me drejtorët e të gjitha klinikave.

“Përveç që ka diagnoza ose trajtime që tash bëhen në institucionet tona, më e dëmshmja është që mungojnë shumë diagnoza që duhet të referohen jashtë vendit” – tha ajo.

Ajo tha se çuditet se di shteti nuk ka organizuar aftësimin e mjekëve dhe hapjen e klinikave për trajtimin e diagnozave, që nuk bëhen.

Problem tjetër ajo tha që është edhe mungesa e përgjigjjes nga spitalet ku janë trajtuar pacientët.

“Qysh është e mundur që fëmijët e moshave të ndryshme, me diagnoza të njëjta dhe me stade të ndryshme të sëmundjes ta kenë gjithmonë faturën 160 mijë euro?” – pyeti kryesuesja e këtij bordi.

Allen Meta nga D4D tha se pas kësaj konference, nëse prokuroria nuk ka iniciuar ende raste lidhur me këto keqpërdorime, duhet të veprojë tani.

Visar Prebreza tha që hetime duhet të bëhen në bashkëpunim me prokurorinë e Turqisë, në mënyrë që të kapen edhe njerëzit që potencialisht kanë keqpërdoruar edhe atje.

Në fund ushtruesi i Detyrës i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Bujar Kaçuri tha se ka njoftuar drejtorët e klinikave që asnjë diagnozë që nuk është në listë dhe jashtë mundësive buxhetore nuk do të aprovohet pavarësisht presionit. Për këtë ai tha që do të kërkojnë vazhdimisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Financave që të bëjnë analizë se sa është nevoja reale për trajtim jashtë vendit.