Ndeshja Gjilani-Ballkani, ky është vendimi i Komisionit të Garave

Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës ka marrë vendim që ndeshjen e zhvilluar më 3 prill ndërmjet Gjilanit dhe Ballkanit ta regjistrojë me rezultat zyrtar 3:0 në favor të Ballkanit.

Në këtë ndeshje tifozët Gjilanit kishin hyrë në fushë duke e sulmuar portierin e Ballkanit, Stivi Frashëri.

“Regjistrohen ndeshjet e xhiros së 27-të të BKT Superligës dhe ndeshjet e xhiros së 20–të të Viva Fresh Ligës së Parë, Grupi A dhe B, edicioni 2021/2022 me rezultatet e arritura në fushë , me përjashtim të ndeshjes Gjilani-Ballkani e cila është regjistruar me rezultat zyrtar 3:0 në favor të Ballkanit”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Ndërkaq ndaj Gjilanit është nisur inicim diciplinor për shkak të ngjarjes.

“Ndaj: SC ”Gjilani”. MOTIVI: Lëshim në organizimin e ndeshjes. Në minuten e 90+4, pas barazimit të rezultatit nga ana e vendasve, një numër i shikuesve nga tribuna futen në fushë për të festuar golin e barazimit, dy nga të cilët sulmojnë fizikisht portierin e ekipit mysafir me nr.77 Stivi Frashëri duke i rrezikuar shëndetin. Lojtarit të sulmuar i është dhënë ndihma e parë në fushën e lojës, pastaj me autoambulacë është transportuar për në spitalin e qytetit. Për shkak të pa aftësimit të lojtarit mysafir si rezultat i sulmit nga shikuesit, gjyqtari kryesor duke implementuar rregulloren e garave, në minutën 90 +4 e ka ndërprerë ndeshjen . Sipas raporteve të personave zyrtar të ndeshjes Gjilani – Ballkani”, vazhdon njoftimi.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj F. R. dhe B.K.,  për shkak të dyshimit se secili veç e veç dyshohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrja në turmë dhe huliganizmi.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, dy të dyshuarit hyn në fushën e futbollit ku po zhvillohej ndeshja në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, bashkë me një turmë të madhe tifozësh, njëri i pandehur e shtyn dhe e rrëzon përtokë e tjetri e godet me shqelm në fytyrë portierin e FC Ballkanit, Stivi Frashëri, e që si pasojë i  shkakton lëndime trupore dhe rrezik të përgjithshëm për eskalimin e situatës.

Portieri i klubit suharekas, FC Ballkani, Stivi Frashëri, është sulmuar të dielën nga disa tifozë të FC Gjilani teksa po zhvillohej ndeshja mes dy klubeve, e vlefshme për Superligën e Kosovës.

Huliganizmi në Stadiumin e Gjilanit, Prokuroria kërkon paraburgim ndaj dy personave