Përkeqësimi i fushës në ‘Fadil Vokrri’, ndeshja Ballkani- Viktoria Plzen zhvendoset në ‘Air Albania’

UEFA ka vendosur që ndeshja e ardhme e Ballkanit ndaj Viktoria Plzen në Ligën e Konferencës, të mos luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” por në stadiumin “Air Albania”, në Tiranë.

Sipas njoftimit, ndeshja nuk do luhet në Prishtinë, si shkak i përkeqësimit të gjendjes së fushës pas ndeshjes së fundit.

“Për shkak të kushteve të përkeqësuara të fushës pas ndeshjeve të fundit, ndeshja e ardhshme e fazës së grupeve të Conference League ndërmjet Ballkanit dhe Viktoria Plzen është zhvendosur nga stadium ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë, në stadiumin ‘Air Albania’ në Tiranë”- thuhet në njoftimin e UEFA-s.

Pas ndeshjes mes kombëtareve të Kosovës dhe Izraelit, në rrjete sociale ka pasur kritika për gjendjen e fushës.

Komuna e Prishtinës dhe Federata e Futbollit të Kosovës fajësuan njëra tjetrën për çështjen e mirëmbajtjes së stadiumit.

Komuna e Prishtinës përmes një postimi në Facebook, thanë se mirëmbajtja është obligim i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

“Gjatë ditës kanë qarkulluar informata të pasakta se mirëmbajtja e stadiumit “Fadil Vokrri” është në përgjegjësi të Kryeqytetit Prishtina, dhe se institucioni nuk është kujdesur për fushën e stadiumit. Ju informojmë se mirëmbajtja e stadiumit të futbollit “Fadil Vokrri” nuk është përgjegjësi e Kryeqytetit Prishtina, por është obligim i Federatës së Futbollit të Kosovës”- thuhet në njoftim në Facebook.

Kurse në reagim, FFK-ja u shpreh se stadiumi nuk është pronë e saj dhe nuk mund ta marrë barrën për gjendjen e tillë të fushës, “duke e ditur stërngarkesën e aktiviteve (jo vetëm sportive) në këtë stadium gjatë këtij viti”.

“Askush nga institucionet, qoftë të nivelit lokal apo qendror, nuk është marrë asnjëherë me çështjen e fushës, ndonëse prej shumë kohësh e kemi ngritur zërin për urgjencë dhe për nevojën e një stadiumi alternativ” – thuhet tutje në reagim.

Kombëtarja e Kosovës e ka mposhtur atë të Izraelit me rezultat 1 me 0 në ndeshjen e zhvilluar në fushën gati krejt baltë.