Ballkani mposhtet në “Fadil Vokrri” nga Astana

Ballkani ka pësuar humbje 2-1 ndaj Astanas në kuadër të rrethit të tretë të Ligës së Konferencës.

Pas shtatë minutash lojë, mysafirët kaluan në epërsi me golin e Kamo Hovhannisyan.

Por, festa e lojtarëve të Astanas zgjati vetëm 60 sekonda, pasi kampioni i Kosovës i barazoi shifrat.

Ishte Edvin Kuç, ai që barazoi rezultatin në 1-1, për të rikthyer ndeshjen në baraspeshë.

Mirëpo, Astana ia doli të rikthente epërsinë me golin e Abzal Beysebekov, që realizoi në minutën e 23-të.

Ballkani kishte më shumë iniciativë në sulm, mirëpo në mbrojtje nuk kishte koordinim, me çka edhe pësuan dy gola të lehtë.

Ilir Daja intervenoi me zëvendësim, duke larguar nga loja Vesel Limajn në minutën e 38-të, për të inkuadruar sulmuesin Bleart Tolaj.

Pjesa e dytë nisi me një ritëm të lartë nga Ballkani që synonte t’i barazonte shifrat.

Berisha dhe Tolaj ishin cak i bashkëlojtarëve të tyre në zonën e rreptësisë së Astanas, por që atyre u mungonte konkretizimi.

Në minutën e 70-të, Daja e largoi nga loja Albin Berishën, për të inkuadruar Walid Hamidin, por as ky i fundit nuk ia doli të bënte dallimin.

Edhe pse Ballkani kishte iniciativën e plotë në minutat e mbetur, ata nuk ia dolën që së paku të merrnin një pikë nga ky takim.

Viktoria Plzeni është lider i Grupit C me gjashtë pikë, ndërsa Ballkani, Dinamo Zagrebi dhe Astana kanë nga tri pikë. /Telegrafi/