Trajneri Ilir Daja flet pas ndeshjes, ka fjalë të mëdha për futbollistët e tij

Trajneri i FC Ballkanit, Ilir Daja ka pasur fjalë të mëdha për futbollistët e tij pas fitores 2:0 ndaj klubit kroat Dinamo Zagrebit në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ilir Daja tha se i gjithë suksesi i FC Ballkanit ka një emërues të përbashkët që janë futbollistët e tij.

“Përpos asaj që kemi bërë shumë histori, sepse kemi dy vjet që merremi pjesë në grupe, por këto kanë një emërues të përbashkët, janë këta djem të mrekullueshëm që ulin diferencat me këto ekipe. I ulin diferencat me këtë karakter që shfaqin në fushë” – tha Daja pas ndeshjes.

“Me ekipet e tilla, si Dinamo, me shumë kualitete, nuk mund të bësh lojë aq brilante, sepse kanë shumë kualitet, por këtë diferencë ne e zbusim me faktin se jemi një grup i bashkuar”

Trajneri Daja konfirmoi se përgatitjet për këtë ndeshje i kanë bërë duke studiuar kundërshtarin, derisa ka pasur fjalë të mira për Dinamo Zagrebin.

“Ne kishim studiuar kundërshtarin. Edhe pse kemi marrë një rezultat 2:0, mbetet për t’u respektuar shumë. Kishin pak shumë të forta, sidomos kapiteni. Por ne kishim gjetur një mënyrë loje, që pikat e tyre të forta t’i neutralizojmë. Por pa karakterin dhe luftën e futbollistëve që unë i drejtoj nuk do të merrnim këtë rezultat” – tha trajneri Daja.

Ballkani shënoi fitore sot ndaj Dinamo Zagreb me rezultat 2:0 me golat e Almir Kryeziut dhe algjerianit Walid Hamidi.

Pas fitores historike të klubit suharekas FC Ballkani ndaj Dinamo Zagreb në stadiumin “Fadil Vokrri” i jep mundësi reale klubit kosovar për të kaluar grupin C në Ligën e Konferencës.

Pas dy ndeshjeve të zhvilluara FC Ballkani gjendet në pozitën e dytë në grupin C, me 3 pikë, aq sa ka edhe Dinamo Zagreb në pozitën e tretë.

Nërsa Plezen gjendet në pozitën e parë me 6 pikë, derisa FC Astana gjendet në pozitën e fundit me asnjë pikë.

Me 26 tetor, FC Ballkan pret përsëri në “Fadil Vokrri” FC Astana nga Kazakistani.