Nagavaci: Sistemi arsimor nuk është ai që duam prej politikave të mbrapshta të PDK-së

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj kanë pasur një përplasje gjatë seancës së Kuvendit lidhur më gjendjen e arsimit në Kosovë.

Deputeti Qalaj teksa ka akuzuar Qeverinë për grevën e BSPK-së, ka thënë për ministren Nagavci që për të është më rendësi egoja e saj sesa normalizimi i procesit mësimor.

Ai ka thënë se Nagavci nuk ka reaguar asnjëherë kundër akuzave dhe fyerjeve që u janë bërë mësimdhënësve.

“Ministre si keni mundur të qëndroni aq komod kur e keni ditur që nuk po zhvillohet mësimi në shkolla. Asnjëherë se keni ngritur zërin kundër akuzave e fyerjeve që po ju bëhen mësimdhënësve. Të krijohet përshtypja që është krijuar një front më mision për denigrimin e figurës së mësimdhënësve të Kosovës”-ka thënë Qalaj gjatw seancws sw Kuvendit.

Në replikën e saj kundër deputetit Qalaj, Nagavci ka thënë se ka respekt për mësimdhënësit duke theksuar se ajo ka punuar si mësimdhënëse 20 vite.

Nagavci ka shtuar se gjendja e arsimit në Kosovë nuk është në gjendjen e dëshirueshme për shkak të “politikave të mbrapshta dhe ndërhyrjeve brutale”, të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të tjerëve në arsim.

“Është e vërtetë që arsimi nuk është ai që dëshirojmë dhe kjo pikërisht prej politikave të mbrapshtave dhe ndërhyrjeve brutale që keni pas në arsim gjë që po e ndryshojmë. Sa i përket çështjes së mësimdhënësve unë e kam thënë, respekt për pjesën dërmuese të mësimdhënësve, keqardhje për situatën në të cilën na kanë sjell ndërhyrjet brutale në radhë të parë të PDK-së e pastaj të tjerëve në arsim” – ka thënë ajo.

Kuvendi i Kosovës sot në seancën e parë të sesionit vjeshtor po debaton për grevën e BSPK-së në Kosovë.

Në anën tjetër, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) nga 25 gushti ka nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik në vend.

Pjesë e grevës që ka filluar me 25 gusht janë edhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK).