Foto: Kallxo.com - ARKIV

Mustafa: Sulmi ndaj familjes së Vjosa Osmanit është neveritës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa e ka quajtur neveritës sulmin ndaj familjes së kryetares së Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani.

“Atakimi i familjes së Kryetares së Kuvendit, znj. Vjosa Osmani është neveritës”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Mustafa ka thënë se mospajtimet dhe rivalitetet partiake duhet të shprehen dhe debatohen e jo të kalojë te etiketimi i familjarëve.

“Mospajtimet institucionale, rivalitetet partiake dhe politike duhet t’i shprehim dhe debatojmë ndërmjet nesh, jo përmes etiketimit të prindërve, fëmijëve apo familjarëve. Kjo është mënyra më morbide e luftës politike. Nëse dikush ka pasur argumente, pse nuk i prezantoi ato, para se Vjosa të zgjidhej Kryetare e Kuvendit. Përgjigja është se nuk kanë pasur dhe nuk kanë”, ka shtuar Mustafa.

Më tej, i pari i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se edhe familja e tij është sulmuar pareshtur.

“Jam ndër ata që pareshtur më është sulmuar familja. Këto ditë po lexoj se disa që sulmonin dhe etiketonin në forma të ndryshme, tani e kanë filluar betejën ndërmjet tyre për dyshime në njëri tjetrin për abuzime, shantazhime, kurdisje e shumë punë të pista. Të gjithë përfundojnë kështu, por pasojat janë evidente nga njerëz të tillë”, ka përfunduar ai.

Më herët gjatë ditës, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se fotografitë e publikuara nga disa portale ku është thënë se babai i saj ka punuar me serbët është shpifje.

“Natyrisht që në atë foto nuk është babai im e natyrisht që edhe gënjeshtra se ai ka punuar për serbët është shpifje e radhës e atyre që sot e kthyen Kosovën në varësi të Beogradit. Për fatin e keq të vendit tonë, shpifjeve të tilla u shërbejnë edhe disa pseudo-portale të shndërruara të mjete propagandistike të tregtarëve të kufijve”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Më tej, kryetarja e Kuvendit ka thënë se babai i saj, Raif Osmani është larguar dhunshëm nga puna më 15 mars 1989.

Osmani ka thënë se do të ndërmerren masa ligjore ndaj portaleve që kanë publikuar informacione të tilla.

Nënkryetarja e LDK-së dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka qenë kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti. Po ashtu, ajo nuk ka votuar fare dhe nuk e ka udhëhequr seancën e Kuvendit në të cilën është votuar Qeveria Hoti.