Elizabeth Allen, screenshot

Nënsekretarja amerikane tregon se çka diskutuan me presidenten Vjosa Osmani

Nënsekretarja amerikane, Elizabeth Allen, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se ka ritheksuar se “mund të mbështesin trajektoren e Kosovës drejt institucioneve evropiane dhe euroatlantike kur kemi një funksionim dhe koordinim të ngushtë”.

Allen tha se diskutuan “hapin thelbësor në rrugën euro-altantike të Kosovës për të ecur përpara me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”.

“Ne folëm edhe për çështjen kritike të rrugës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës. E ritheksova se ne mund të mbështesim më së miri trajektoren e Kosovës drejt institucioneve evropiane dhe euroatlantike kur kemi një funksionim dhe koordinim të ngushtë. Dhe e di që kjo çështje ka një rëndësi të madhe edhe për ju, Presidente Osmani. Diskutuam hapin thelbësor në rrugën euro-altantike të Kosovës për të ecur përpara me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”

“Gjithashtu diskutuam për investimet e reja, edukimin dhe trajnimin për të siguruar një të ardhme demokratike të begatë dhe multietnike për Kosovën” – tha nënsekretarja amerikane përmes një konference të përbashket me shefen e shtetit kosovar më 19.05.2024.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, andaj edhe Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje. Gjithashtu, Kryeministri, Albin Kurti ka bërë të ditur më 08.05.2024 se Qeveria nuk e pranon Asociacionin si kusht për t’u bërë pjesë e Këshillit të Europës. Kjo kërkesë, sipas tij nuk është parimore e as vlerore, por është absurde. Kosova mbeti jashtë agjendes së mbledhjes së Asambles së Këshillit të Europës së datës 17.05.2024.

‘Marrëveshja që nënshkruam formalizon marrëdhënien tonë’ 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nga takimi i sotëm me nënsekretaren e SHBA-së për Diplomacinë Publike, Elizabeth Allen, kanë nënshkruar marrëveshjen e mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së ShBA-së dhe Kosovës kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.

Allen, tha se kjo marrëveshje sinjalizon një “angazhim nga Shtetet e Bashkuara dhe Kosova për të zhvilluar një qasje të përbashkët për të kuptuar më mirë dezinformimin e huaj dhe për të ndërtuar mekanizma konsultativë për të kundërshtuar kërcënimin”.

“Marrëveshja që nënshkruam sot formalizon marrëdhënien tonë të shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimin në luftën kundër dezinformimit. Memorandumi i Mirëkuptimit sinjalizon një angazhim nga Shtetet e Bashkuara dhe Kosova për të zhvilluar një qasje të përbashkët për të kuptuar më mirë dezinformimin e huaj dhe për të ndërtuar mekanizma konsultativë për të kundërshtuar kërcënimin e tij. Qendra Globale e Angazhimit të Departamentit të Shteteve të SHBA-së dhe Byroja jonë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike në emër të qeverisë së SHBA-së dhe Ministria e Punëve të Jashtme në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës tani bashkërisht do ta udhëheqin këtë konsultim në vazhdim” – tha Allen.

Pas takimit, presidentja e vendit tha fillimisht se vizita e nënsekretares Allen simbolizon jo vetëm që simbolizon partneritetin e “palëkundur” mes dy vendëve, por edhe përkushtimin e ndërsjelltë për bashkëpunim në luftimin e “sfidave të përbashkëta”.

“E veçanta e raporteve tona me ShBA-të qëndron jo vetëm në faktin se aleanca jonë e përjetshme është vulosur nga trimufi i përbashkët përballë forcave dashakeqe por edhe për faktin se kjo aleanca forcohet dhe zgjerohet në vazhdimësi me qëllim të përballjes së sukseshëm me sfidat me të reja globale. Andaj edhe vizita e sekretaren Allen simbolizon jo vetëm partneritetin e palëkundur të Kosovës me ShBA-të por dëshmon edhe përkushtimin tonë të ndërsjellë për bashkëpunim me qëllim të luftimit të sfidave të përbashkëta, kjo mbështetje po vazhdon edhe sot” – tha ajo.

Ndërlidhur me marrëveshjen e sapo nënshkruar, Osmani u shpreh e lumtur pasi në këtë mënyrë, tha ajo, “bashkojmë forca kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja”.

Sepse siç theksoi ajo, dezinformata dhe sulmet kibernetike janë bërë pjesë e pandashme e luftes hibride.

“Kjo marrëveshje që nënshkruam sot është dëshmi e përkushtimit  të mëtejmë të raporteve ndërmjet dy shteteve tona. Pra, jam jashtëzakonisht e lumtur që nënshkruam një marrëveshje, në mënyrë që të bashkojmë forca kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja. Fushat dezinformuese paraqesin kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë kombëtare të Kosovës”

“Këto fushata duan të cenojnë demokracinë e vendeve tona. Dezinformata dhe sulmet kibernetike janë bërë pjesë e pandashme e luftes hibride të forcave dashakeqe.. Fatkeqësisht as Kosova nuk është kursyer nga nga këto sulme që sa vijnë  e intesifikohen si rezultat i ndikimit të Rusisë në rajon përmes satelitit të saj, Serbisë. Kjo jo vetëm që është shqetësuese por paraqet rrezik aktiv për destabilizim të rajonit tonë” – tha Osmani më 19.05.2024.