Arkiv

Mustafa: Me LVV-në nuk është problem pozita e presidentit, por vullneti dhe besimi

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të jetë transparente para kryetarëve të degëve të partisë për takimet që është duke i mbajtur me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e qeverisë së re.

Kështu tha në konferencën për media, pas takimit me kryetarët e degëve, kryetari i LDK-së, Isa Musatafa.

“Ne po praktikojmë që të njoftojmë edhe kryetarët e degëve edhe kryesinë, ndoshta është këshillin e përgjithshëm, lidhur me ecurinë e bisedave të cilat po i bëjmë këto ditë më LVV-në për koalicionin e mundshëm qeverisës që të jemi transparent para anëtarësisë sonë”, tha Mustafa.

I pari i LDK-së, tha që me LVV-në nuk kanë ngrirje të procesit të bisedimeve, përderisa tha që janë duke vazhduar takimet deri në gjetjen e zgjidhjeve.

“Procesi i bisedimeve po vazhdon dhe me qenë se ky proces nuk është i ngurtë pasi që çdo ulje në tavolinë nënkupton mundësinë që të gjejmë zgjidhje të përbashkëta. Por ato zgjidhje është e vështirë të gjinden nëse ngurtësohen para opinionit, kjo ka qenë edhe arsyeja themelore që ne të mos dalim që të japim deklarata”, tha Mustafa.

Duke iu referuar takimeve të deritanishme, Mustafa theksoi që besimi dhe respekti duhet jetë reciprok.

“Ne duhet ta shkojmë mirëbesimin dhe respektin reciprok, nëse mungon besimi atëherë jo vetëm që do të kemi problem në lidhjen e koalicionit, por ky besim do të shpërfaqet edhe në qeverisjen e vendit”, tha Mustafa.

Ndërsa deklarimeve për çështjen e presidentit, tha që kjo duhet të zgjidhet mes dy partnerëve.

Nuk kemi ngrirje të qëndrimeve sa i përket pozitave të caktuara, mendojmë që çështja e presidentit është parimore edhe është çështje ekuivalente e cila duhet të krijohet mes dy partnerëve dhe është çështje e mirëbesimit. Nuk ka asnjë formulë personale në bisedat e zhvilluara deri më tani.

Ndërsa i pyetur se kush është emri që LDK-ja do ta propozoj për presidenti, Mustafa tha që nuk kanë ende ndonjë emër.

“Sa i përket presidentit ne zgjedhjet i kemi në fillim të vitit 2021 dhe organet e LDK-së do ta bëjmë publik emrin. Nuk është problem emri, është problem vetëm që të kemi vullnet të kemi besim, nëse ne kemi besim  si LDK që ta votojmë Z.Kurti dhe t’ia japim një përgjegjësi kaq të madhe atëherë presim që një besim të tillë ta ketë edhe partneri jonë ndaj LDK-së, sepse nëse dyshojmë njëri tjetrin atëherë punët nuk shkojnë mirë”, tha tutje Mustafa.

E krejt në fund, kryetari i LDK-së premtoi transparencë të bisedimeve, dhe tha që nuk do të nxjerrin vetëm sekuenca të takimeve.

“Do të vazhdojmë që të gjejmë zgjidhje, sot nuk kemi caktuar takim, për takim merremi vesh unë dhe Z. Kurti, unë ju garantoj që do të jemi transparent, dhe nuk do të dalim të nxjerrim sekuenca sepse ato pastaj po keqpërdoren”, tha ai.

Që nga përfundimi i zgjedhjeve LDK-ja dhe VV-ja janë dakorduar parimisht që të formojnë qeverinë e re, mirëpo përveç harmonizimit të planit, këto parti ende nuk kanë arritur që të nënshkruajnë marrëveshjen për formimin e koalicionit, edhe pse pas çdo takimi të liderëve Kurti-Mustafa deklarohen për përafrim të qëndrimeve.

Dy muaj pas zgjedhjeve, në pritje për formimin e institucioneve të reja