Sulmi ndaj Policisë së Kosovës është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Mushkolaj: RTK-2 i cilëson si 'viktima' terroristët në veri
Drejtor ekzekutiv i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), Imer Mushkolaj ka deklaruar se kanali RTK-2 i Radiotelevizionit Publik të Kosovës, gjatë raportimit i ka cilësuar viktima terroristët në veri.
Sipas Mushkolajt, RTK-2 iu jep hapësirë që të shpreh “plot mllef e urrejtje”, njerëzve që sipas tij, përpiqen të amnistojnë presidentin serb, Aleksandar Viuçiq, nga sulmi në veri.
“RTK2 i cilëson “viktima” terroristët në veri. Thua se bëhet fjalë për dikë që ka vdekur në ndonjë fatkeqësi natyrore, e jo për pjesëtarë të një grupi të organizuar, të armatosur, që kryen sulm terrorist duke vrarë një polic dhe plagosur një tjetër. RTK2 iu jep hapësirë, që të shpreh plot mllef e urrejtje, njerëzve që përpiqen të amnistojnë Vuçiqin nga sulmi në veri”- ka shkruar Mushkolaj në Facebook.
“RTK2 paguhet prej taksave tona. A e monitoron kush? Kujt i shërben ky medium?”- shtoi ai.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini i cili tha se ka monitoruar raportimet në RTK-2 për situatën në veri, teksa shtoi se ka hasur edhe parregullsi.
Boletini ka paralajmëruar masa të menjëhershme dhe të ashpra.
Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga një grup terrorist nga Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të 24 shtatorit.
Prokuroria Speciale e kishte konfirmuar se të dyshuarit ata do të hetohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.
Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe tetë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve dhe dy janë arrestuar mbrëmë në një hotel në afërsi të Banjkës.
Katër nga të arrestuarit janë liruar, për mungesë provash, njoftoi të mërkurën Prokuroria Speciale e Kosovës.