Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Murati: Sot janë bërë pagesat e shtesave për fëmijë për mbi 16 mijë aplikuese

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se sot është bërë pagesa e shtesave për fëmijë për gjithsej 16 mijë e një qytetarë që kanë aplikuar.

Murati ka deklaruar se 831 aplikime kanë pasur të dhëna të pasakta dhe u ka bërë thirrje qytetarëve t’i përmirësojnë ato.

“831 aplikime kanë pasur të dhëna të pasakta, andaj përmes eKosova do të njoftohen që të përmirësojnë të dhënat, dhe muajin vijues do t’i pranojnë shtesat edhe për muajin shtator, retroaktivisht, pasi të kenë përmirësuar të dhënat e nevojshme”, ka shkruar Murati në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”.

Aplikimi fillimisht është hapur për fëmijët e lindur nga 1 janari 2020, ndërsa nga viti 2022 shtohet edhe për të lindurit nga viti 2018.

Mbështetja për gratë lehona është e ndarë në dy kategori, ato që janë të papuna që do marrin 170 euro për 6 muaj dhe të punësuarat që do marrin 170 euro për 3 muaj.

Kjo pagesë do të bëhet krahas kompensimit të rregullt të pushimit të lehonisë.

Aplikimin mund ta bëni përmes kësaj vegëze.