Hekuran Murati, Mistri i Financave, Foto: Arta Sopi, KALLXO.com

Murati e quan grevën ‘të dëmshme’ dhe ‘manipuluese’, e lut stafin arsimor për kthim në punë

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se nuk mendon se duhet të ketë grevë, derisa e ka lutur stafin arsimor për rikthim në punë, sepse sipas tij greva është e dëmshme edhe për nxënësit edhe për punëtorët e arsimit.

Këtë e tha sot në një konferencë për media të thirrur nga kjo ministri.

“Nuk do të pranojmë kushtëzime në kurriz të fëmijëve, sepse kërkesa të tilla mund të bëhen edhe pa i dëmtuar fëmijët. Ka raste nëpër botë ku protestat e grevat bëhen edhe jashtë orarit të punës” – tha ministri, duke e quajtur këtë një “manipulim të sindikatës”.

Ai tregoi se grevistët nuk do të paguhen për ditët që nuk kanë punuar dhe shtoi se janë sindikatat ato që duhet të paguajnë grevistët pasi që siç u shpreh ai ligji, praktikat dhe konventat ndërkombëtare nuk e obligojnë punëdhënësin që t’i paguajë punëtorët e tij gjatë kohës sa janë në grevë.

Murati tha se sindikalistët i kanë pagat për vete të sigurta nga sindikata.

Sipas ministrit në 5 vitet e fundit fondi i SBASHK-ut ka mbledhur rreth 3.2 milionë euro nga punëtorët e arsimit që janë anëtarë të kësaj sindikate, prandaj ai shtroi pyetjen se çfarë ka ndodhë me këto mjete.

Ai tregoi edhe për punën që kanë bërë si qeveri për Ligjin për Paga.

“Si qeveri ne tashmë kemi procedu Ligjin për Paga dhe është në konsultime të brendshme fillimisht, pastaj do të dalë edhe në konsultime publike dhe me afat do të procedohet edhe në Kuvend” – tha ai.

Ai tha se duke marrë parasysh që Kuvendi është në pushim vjetor, ligji do të procedohet sapo deputetët të kthehen në punë.

Sipas tij në këtë projektligj janë marrë parasysh vërejtjet dhe pakënaqësitë e punëtorëve të arsimit lidhur me harmonizimin e koeficientëve dhe me trajtimin e denjë të tyre.

“Janë marrë parasysh edhe shumë kërkesa tjera që kanë qenë, qoftë ndarja e buxhetit për mbështetjen e mësuesve që janë në gjendje të rëndë shëndetësore, kjo është bërë në Komisionin për Grante. Për ruajtjen e pozitave që janë konsideruar si tepricë teknologjike, pra edhe kjo ka kosto buxhetore dhe jemi pajtuar që ta mbajmë derisa të gjendet një zgjidhje përfundimtare” – shtoi Murati.

Megjithatë, sipas tij këto kërcënime e shantazhe po përsëriten gati çdo vit.

Ai tha se qeveria ka punuar me vullnetin për ta mbështetur arsimin, i cili është prioritet dhe përmendi edhe pakon e muajit prill për të treguar vullnetin dhe gatishmërinë e tyre për qytetarët, stafin civil dhe sektorin privat.

Nga 25 gushti, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik në vend.

BSPK-ja ka thirrur grevën deri në realizimin e kërkesave të sindikalistëve nga Qeveria e Kosovës. Në grevë tashmë kanë hyrë administrata komunale e institucione të tjera të vendit.

Rritja e pagës prej 100 euro për të gjithë të punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga, Plotësim- ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti dhe zbatimi sa më parë i Ligjit të miratuar dhe të shpallur për Sigurimin Shëndetësor qysh në 2014-ën janë tri kërkesat e sindikalistëve.