Murati: Djali i Presidentit pa punuar kurrë nuk mund të bëjë pushime të shtrenjta

Në debatin e sotëm në DebatPernime të moderuar nga Jeta Xharra, i ftuar është kandidati për Kryeministër nga radhët e Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ekipi i tij i përfaqësuar nga pesë gra dhe pesë burra.

Kandidati për deputet nga Vetëvendosje, Hekuran Murati, tha se politika më e mirë fiskale do të ishte nëse djali i Presidentit Hashim Thaçi nuk do të mund të shkonte askund në pushime pa punuar kurrë në jetën e tij.

“Politika më e mirë fiskale është kur djali i Presidentit pa punuar kurrë në jetë të vetë nuk mundet me shku kurrë nëpër pushime shumë të shtrenjta kur kryeministri me pagën e vetë nuk mundet me shku në hotelin më të shtrenjtë në Zvicër. Kjo gjë duhet me u eliminuar, evazioni fiskal këtu në Kosovë është klientelist, kemi të bëjë me biznese të caktuara që i ikin tatimit”, tha Murati.

Këtë ai e tha pasi që Shpresa Loshaj mërgimtare nga Kanadaja kërkoi nga Kurti të dijë se çfarë do të bënte në qeverisjen e tij për uljen e taksave dhe shmangien e taksave nga bizneset.

“Sot shteti i Kosovës, është i diskredituar si tatim mbledhës sepse nuk paguajnë taksa bizneset dhe shpeshherë edhe individët kur dëgjojnë çdo mbrëmje për skandalet qeveritare. Ne duhet t’i ndalim skandalet qeveritare e kjo ndodh pas datës 6 tetor me qeverinë e re e më pastaj e kemi autoritetin për ta bërë këtë”, iu përgjigj Kurti- Loshajt.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahen për dhjetë ditë rresht sa do të zgjasë zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Kandidatët për kryeministër si dhe kandidatët për deputetë nga partitë të cilat janë në garë do të ballafaqohen para Jeta Xharrës ku edhe do të shpalosen programet e tyre qeverisëse.

Të ftuar në debat janë: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Fitore Pacolli, Hajrullah Çeku, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati, Saranda Bugujevci, Arben Vitia, Yllza Hoti.

Debat Pernime do të fillojë çdo ditë nga ora 20:30 në Televizionin 21 dhe live në Facebook të KALLXO.com.