Ilustrim

Mungoi prokurorja dhe njëri avokat, dështon seanca gjyqësore në rastin e noteres Valbona Murtezi

Noterja Valbona Murtezi-Bytyçi dhe të bashkakuzuarit Agim Spahiu dhe Bekim Maloku u paraqitën sot para Gjykatës së Prishtinës ku pritej të mbahej seanca fillestare për procesin gjyqësor ku të njëjtit akuzohen nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndihmë në kryerjen e kësaj vepre.

Por seanca dështoi të mbahej për shkak të mungesës së prokurores së rastit, Bukurije Gjonbalaj si dhe mungesës së mbrojtësit të të akuzuarit Bekim Maloku, avokatit Alban Makolli.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Murtezi në cilësinë e noteres ka përpiluar kontratë për shitblerjen e paluajtshmërisë, konkretisht në lidhje me një lokal në lagjen Ulpiana të Prishtinës, ku përmes kësaj kontrate ka ndryshuar njërin nga dy bashkë blerësve.

Murtezi akuzohet se këtë e kishte bërë me veprime të kundërligjshme përmes përpilimit të një aneks – kontratës me të cilën kishte ndryshuar blerësin Krenar Alidema me të pandehurin Agim Spahiu.

Agim Spahiu tanimë është i bashkëpandehur në këtë procedurë e po akuzohet për veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës së keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

I njëjti sipas dosjes së Prokurorisë është duke e shfrytëzuar lokalin në fjalë.

Akuzë e tillë rëndon edhe mbi Bekim Malokun, i cili bashkë me Spahiun dyshohet se përmes nënshkrimit të aneks kontratës pa prezencën e të dëmtuarit Krenar Alidema.

Aktakuza thotë se i dëmtuarit Krenar Alidema veçse kishte kryer obligimet e caktuara për blerje të lokalit sipas shumës së caktuar në kontratën bazë të përpiluar nga Murtezi.

I njëjti kishte paguar shumën prej 250,000 euro në afatin e caktuar, ndërsa pjesën tjetër ka pasur ta paguajë i akuzuari Bekim Maloku.

Keqpërdorimi i pozitës zyrtare është i inkriminuar nga Kodi Penal i Kosovës dhe sipas të njejtit personi zyrtar që e kryen këtë vepër dhe përfitimi apo dëmi e tejkalon shumën prej pesëmijë (5000) euro, dënohet me gjobë dhe burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.