'Mungesat e deputetëve', Kuvendit i mbesin seanca të papërfunduara që nga muaji shkurt

Ndonëse kemi hyrë në muajin e pestë të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka pika të papërfunduara nga që nga muaji i dytë i këtij viti.

Kanë kaluar rreth 3 muaj dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur që t’i përfundojnë seancat e muajit shkurt.

Përveç shkurtit, ka seanca plenare të Kuvendit të Kosovës të muajit mars e prill që nuk kanë përfunduar ende.

Pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 22, 23, 24 shkurt, 16 mars dhe 14 prill 2022:

Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-104 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.03/L-040 për vetëqeverisjen lokale, ka mbetur pikë e pa përfunduar ndonëse ka qenë në rend dite në disa seanca të Kuvendit. Kjo pikë ka qenë në në rend dite në seancat e datave 22, 23 dhe 24 shkurt, 16 mars dhe 14 prill 2022.

Me 22 shkurt Kuvendi i Kosovës kishte mbyllur punimet e seancës plenare për atë dite pa ardhur rendi tek votimi në parim i Projektligjit për vetëqeverisjen lokale.

Seanca e 22 shkurtit ishte shtyrë për datën 23, por ky projektligj nuk ishte votuar për shkak të mungesës së kuorumit.

Edhe me 14 prill, Kuvendi ka vazhduar me pikat e pa përfunduara nga seanca e 22 shkurtit.

Por problemi vazhdonte të jetë mungesa e deputetëve në seancë në momentin e votimit.

Ky është ligj i karakterit vital dhe duhet të votohet edhe prej deputetëve të komunitetit serb në mënyrë që të miratohet.

Një nga projektligjet e tjera që ka mbetur e pamiratuar që nga shkurti është Plotësim Ndryshimi i Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.

Edhe ky propozim ka qenë në rend ditë që nga muaji shkurt në seancat plenare, por që ende nuk është miratuar.

Kuvendi ishte mbledhur edhe me 25 shkurt, por kishin debatuar vetëm për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duke mos arritur t’i miratonin pikat që kishin mbetur pa u trajtuar nga seancat e kaluara.

Ndërsa në seancën e 16 marsit, projektligji është shtyrë prapë për një seancë tjetër për shkak të mungesës së deputetëve nga Lista Serbe.

Po ashtu, deputetët i kanë lënë në sirtar edhe pikat e rendit të ditës të majit prill.

Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb, është tjetër pikë e papërfunduar, ndonëse ka qenë në seanca të muajit prill në rend të ditës.

Sipas të dhënave në ueb-faqen e Kuvendit të Kosovës, me 7 prill, kjo pikë pas diskutimit, përmes mocionit procedural ishte shtyrë për seancën e radhës.

Edhe me 14 prill, me kërkesë të Listës Serbe kjo pikë, përmes mocionit procedural ishte shtyrë për një seancë tjetër.

Pikë e pa përfunduar nga data 12, prill ka mbetur vazhdimi i debatit parlamentar për politikën e jashtme.

Atë ditë, gjatë kohës kur po zhvillohej debate për politikën e jashtme, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ishin larguar nga salla e Kuvendit.

“Nuk jemi të interesuar të flasim vet me veti, jemi të interesuar të flasim me ministre, është ofenduese për neve dhe për qytetarët e Kosovës”, kishte deklaruar deputeti Abelard Tahiri.

PDK, LDK, dhe AAK ishin larguar nga salla. Pas këtyre zhvillimeve përfundoi seanca, e cila do të vazhdonte pas vendimit të Kryesisë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur ta ratifikojnë as marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare.

Po ashtu në Kuvend ka dështuar të ratifikohet edhe Marrëveshja së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e zhvillimit të impiantit të ujërave të zeza në Mitrovicë.

Nuk është ratifikuar as marrëveshja tjetër, për të njëjtin projekt për ujërat e zeza në Mitrovicë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Mitrovicë.

As marrëveshja për financim në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në Kosovë” nuk është votuar.

Të gjitha këto pika kanë qenë në rend të ditës për t’u votuar me 14 prill, por që për shkak të mungesës së kuorumit nuk janë votuar

“Vetëm 78 deputetë jemi në sallë, kështu që shihemi të martën në orën 10:00”, kishte thënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca kur kishte parë mungesën e deputetëve dhe kur kishte konstatuar pamundësinë e votimit të këtyre projektligjeve për marrëveshje ndërkombëtare. .

Ndërsa me 19 prill, me pjesëmarrjen e vetëm 33 deputetëve në votim, pasi nuk ka kaluar mocioni procedural për të futur në rend të ditës formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës, partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK e kanë lëshuar seancën duke deklaruar se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim deri në formimin e këtij komisioni.

Kështu kanë pamundësuar vazhdimin e seancës për shkak të mungesës së kuorumit për të votuar pikat tjera të rendit të ditës.

Tetë pika të seancës së re plenare, dhe pikat e pa përfunduara nga seancat e kaluara të Kuvendit të Kosovës, kanë qenë në rend dite në mbledhjen e fundit të kryesisë të mbajtur javën e kaluar.

Hulumtuesja dhe njohësja e punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Agnesa Haxhiu tha se punwt nw Kuvend e pengon caktimi i seancave të reja pa përfunduar pikat e mbetura nga seancat e mëparshme.

“Shumë prej pikave të papërfunduara që kërkojnë shumicë të thjeshtë të votave, do të mund të përmbylleshin edhe pa pjesëmarrjen e opozitës në votim mirëpo shpesh here shumica parlamentare nuk po arrin t’i siguroj 61 deputetë në sallë në procesin e votimit”, ka thënë Haxhiu për KALLXO.com.

Tutje ajo ka shtuar se mungesa e kuorumit po vazhdon të sfidoj edhe këtë legjislaturë ani pse në këtë legjislaturë ndryshe prej atyre paraprake, ka një shumicë goxha të konsoliduar në numra.

“Problemi këtu nuk qëndron me bojkotin e shpeshtë politik që shprehet përmes mospjesëmarrjes në votim pavarësisht prezencës fizike, por edhe për shkak që shumica e deputetëve, nga të gjitha grupet parlamentare, nuk janë shumë të rregullte në punimet plenare dhe në komisione parlamentare”, ka thënë për KALLXO.com njohësja e punës së Kuvendit.

Haxhiu ka thënë se edhe përplasjet e fundit për çështjen e Komisionit hetimor kanë ndikuar në zvarritjen e shumë prej pikave të rendit të ditës.

“Përplasjet e fundit mes shumicës parlamentare dhe opozitës për çështjen e Komisionit hetimor, që pasojë me bojkotimin e punimeve nga këta të fundit, padyshim që ka ndikuar në zvarritjen e shumë prej pikave të rendit të ditës, sidomos ato që kërkojnë 2/3 e votave të të gjithë deputetëve”, ka thënë ajo.

KALLXO.com ka provuar të marrë nga një koment prej shefave të të gjitha grupeve parlamentare në Kuvend të Kosovës, për mbetjen e pikave pa u trajtuar që nga seancat e maujit shkurt, por asnjë nga ta nuk ka qenë të qasshëm dhe nuk janë përgjigjur në pyetjet e redaksisë.