MSh: Nga gushti në dhjetor, 89% e të vdekurve me COVID-19, të pavaksinuar me dy doza

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në periudhën 5 gusht – 1 dhjetor 2021 në nivel vendi, 89 për qind nga 1,453 vdekje të regjistruara, kanë qenë persona të pavaksinuar plotësisht, apo që nuk kishin dy doza të vaksinës.

“Kjo e dhënë tregon për rëndësinë e vaksinimit të plotë në frenimin e përhapjes së COVID-19, në parandalimin e infektimit me forma të rënda të sëmundjes dhe vdekjeve nga COVID-19”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Nga periudha gusht – dhjetor në Kosovë janë regjistruar 1,435 të vdekur me coronavirus, nga ta 1,280 nuk kanë qenë plotësisht të vaksinuar.

Sipas ekspertëve të shëndetësisë, vaksinimi është mënyra më efikase për parandalim të vdekshmërisë nga coronavirusi.

Procesi i imunizimit ndaj COVID-19 është duke vijuar, ndërsa sipas Ministrisë së Shëndetësisë brenda 24 orëve në Kosovë janë dhënë 344 doza të vaksinave, përderisa nga 29 marsi i këtij viti e deri më sot janë administruar mbi 1,6 milion doza të vaksinave.

“Deri më sot 772 mijë e 537 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë”, thuhet në raportin 24 orësh të MSh-së.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë Publike një persona konsiderohet i vaksinuar në momentin që merr dy doza të vaksinave anti-COVID.

Në Kosovë janë në dispozicion dy lloje të vaksinave, “Pfizer” dhe “AstraZeneca”, përderisa që nga nëntë dhjetori ka filluar dhënia e dozës së tretë përforcuese kundër coronavirusi.

Deri më tani pandemia COVID-19 në Kosovë ka prekur mbi 161 mijë qytetarë. Sa i përket pandemisë në nivel global figurojnë se me virusin janë infektuar mbi 270 milionë njerëz dhe kanë vdekur mbi 5,3 milionë.

Aktualisht bota është duke u përballur me variantin e ri të COVID-19 të quajtur “Omicron”.