MPJD-ja prezanton dy programe për diasporën

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës sot ka prezantuar dy programe të destinuara për mërgatën e Kosovës.

Ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla ka deklaruar se programi i parë ka të bëjë me karvanin e diasporës që bazohet në platformën “shijokosovëm.com”, ndërsa i dyti është program që ka të bëjë me diplomacinë publike.

“Karvani i diasporës do të mbahet nga 27 korrik deri 7 gusht dhe bazohet kryesisht në platformën “shijokosovën.com”, ku mërgimtarët tanë jo vetëm që do të shohin programin që ofrohet nga tri ministri të ndryshme, MPJD, MKRS dhe MASHTI”, ka njoftuar Gërvalla.

Për programin e dytë, Gërvalla ka thënë se është një program që ka të bëjë me diplomacinë publike që ka në fokus diplomacinë qytetare.

“Ndërsa programi i dytë i cili është fillimisht një program pilot është një program që ka të bëjë me diplomacinë publike që ka në fokus diplomacinë qytetare. Aty ofrojmë programe për lidhje të mërgatës me Republikën e Kosovës përtej lidhjeve familjare. Është një interesim i natyrshëm i republikës që të rinjtë që janë lindur e rritur në diasporë që ta njohin Kosovën përtej lidhjeve familjare”, ka thënë Gërvalla.

Ajo theksoi se detyrë e institucioneve të Kosovës është gjetja e mundësive për ndërlidhjen me mërgatën.

“Mërgata është bekimi i Kosovës dhe prandaj detyrë e institucioneve të Republikës, është gjetja e mundësive dhe rrugëve konkrete për një ndërlidhje sa më të fortë mes mërgatës dhe Kosovës”, u shpreh Gërvalla.

Zëvendës ministrja Liza Gashi ka thënë se platforma “shijokosovën” do të lansohet të martën në komunën e Gjilanit.

“Ne lansojmë platforma “shijokosovën” nesër në komunën e Gjilanit. Si ministri e punëve të jashtme në kuadër të karanavanit eshtë pikërisht programi i diplomacisë qytetare. Është program lidershipi i cili është i dizajnuar që të zgjasë 6 muaj. Ky program është si pjesë e ndërlidhjes së strategjisë për diplomaci qytetare. Ftoj të gjithë të rinjtë dhe të rejat që të jenë pjesë e programit dhe të presim një ndërlidhje”, ka deklaruar Gashi.

Mbledhjen e kaluar qeveria ka marrë vendim për ndarjen e 90 mijë eurove për diplomacinë qytetare.

Qeveria ndan 90 mijë euro për Programin për Diplomaci Qytetare