Ilustrim

MPJ pagoi bileta aeroplani në vlerë mbi 3,300 euro për mysafirin që nuk erdhi

Dy bileta në vlerë mbi 3,300 euro ish rezervuan nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës për mysafirin nga Afrika, i cili nuk erdhi.

Ministria kërkoi rimbursimin e  mjeteve, mirëpo arriti t’i kthejë vëtëm 152 euro.

Këtë gjetje e vuri në pah auditimi i performancës së kontratave të centralizuara për vitet 2016-2019 për shërbimet e transportit ajror nga Auditori i Përgjithshëm.

“Për një mysafir nga Afrika, MPJ-ja kishte rezervuar dy bileta në vlerë 3,321 euro të cilat pastaj i kishte anuluar për shkak se udhëtimi nuk kishte mundur të realizohet”, thuhet në raportin e Auditorit

Sipas raportit, MPJ-ja kishte kërkuar rimbursim por kishte arritur të rimbursojë vetëm 152 euro që nuk përbën as 5 për qind të vlerës blerëse të biletave.

Përmes letër-konfirmimit drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla –Schwarz, konfirmoi se e ka pranuar draft-raportin dhe është pajtuar me gjetjet e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit “Kontratat e centralizuara – Shërbimet e transportit ajror” .

Ministrja Gërvalla –Schwarz gjithashtu në këtë letër thotë se brenda 30 ditëve nga pranimi i raportit final do t’u dorëzojë një plan të veprimit për implementimin e rekomandimeve i cili do të përfshijë afatet kohore dhe stafin përgjegjës për implementimin e tyre.