Foto: KALLXO.com

Ambasadorët ia kujtojnë Kosovës “detyrat e shtëpisë” si formë e vetme për rrugën euro-atlantike

Ambasadorët e vendeve mike dhe aleate të Kosovës, SHBA-së, Gjermanisë dhe Bashkimit Europian, i rikujtuan ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe Kosovës, disa herë me radhë që e vetmja formë që Kosova të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare është përmes zbatimit të marrëveshjeve të dala nga dialogu me Serbinë.

Ndërsa, ministrja Gërvalla këmbënguli që dialogu është e vështirë të ecë ashtu siç i kërkojnë miqtë dhe aleatët, kur palë përballë në tavolinën e Brukselit e ka një shtet si Serbia, që është e përgatitur për luftë.

Deri në vitin 2030, në NATO dhe në BE” –  tha Gërvalla në fillim.

Gjatë bisedës që nisi disi miqësore, duke treguar secili prej tyre emrat e figurave e tyre frymëzuese, mes fjalësh disa herë me radhë Kosovës iu përmend përfundimi i “detyrave të shtëpisë”, duke e ndërfutur dialogun si detyrë kryesore, si mënyrë të vetme që vendi të arrijë të anëtarësohet në NATO dhe në Bashkimin Europian.

Të gjitha këto iu bënë të ditura Kosovës në një diskutim të organizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung (FES) dhe Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës.

Konferenca “Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euro-Atlantik” u mbajt më 04.03.2024.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, përsëriti se rruga e vetme drejt anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare është përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE.

Diplomati amerikan rekomandoi që Kosova të tregojë vullnet të vazhdueshëm dhe kreativitet në dialogun me Serbinë në mënyrë që vendit t’i hapet rruga për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Hovenier gjithashtu përsëriti kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të respektohen të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

“Disa thonë se Serbia do të shfrytëzojë rastin që të zvarrisë progresin e Kosovës. Ajo që mund të them është strategjia më e mirë në rrethana të tilla për Kosovën është të bëjë gjithçka që mundet për të treguar vullnet të vazhdueshëm, kreativitet, energji, përkushtim dhe implementim të obligimeve të cila i ka marrë, që i ndihmon procesit për të shkuar para” – tha Hovenier.

Ndër të tjera, Hovenier ka thënë se shpreson që Qeveria të dëgjojë këshillat që i janë dhënë.

Sipas Hovenier, përkundër se nuk është SHBA që vendos se kush do të jetë anëtar i BE-së, “do të donim të shihnim tek ndërtohet kjo rrugë”.

Në anën tjetër, ministrja Donika Gërvalla- Schwarz këmbënguli që fjala dialog nënkupton dy, nuk është monolog dhe se nuk mund të bëjnë dialog përderisa pala tjetër është e përgatitur për luftë.

“Dialogu nënkupton dy [palë], nuk është monolog, po të donim të marrim vendime lidhur me qytetarët tanë në Kosovë, atëherë duhet të jemi në gjendje të marrim përgjegjësi, por partnerët tanë dhe miqtë nuk rreshtin së ndaluari duke na shpjeguar se duhet të angazhohemi dhe në dialog duhet të kesh dy palë”- tha Gërvalla.

Sipas saj, partnerët tanë dhe miqtë nuk rreshtin duke ia shpjeguar Kosovës se duhet të angazhohet në dialog “dhe në dialog duhet të kesh dy palë përndryshe nuk ka nevojë të kesh dialog”.

“Kur e ke njërën palë që është kundër dialogut dhe tregon me veprime konkrete si ngjarja e 24 shtatorit ku kishim një akt sulmi kundër Kosovës apo agresionit kundër Kosovës dhe ne pretendojmë se kemi dialog në Bruksel atëherë çdo nxënës në shkollë do ta kuptojë se kjo nuk është ajo që mësohet në shkollë dhe universitet për dialogun si proces sepse dialogu nënkupton angazhimin e dy palëve me një synim që të arrihet një e ardhme më e mirë sesa ajo që ekziston në të kaluarën dhe në të tashmen” – tha ajo.

Kurse, ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, tha se Kosova duhet t’i kryejë detyrat e shtëpisë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës, pavarësisht se ajo është afër anëtarësimit.

“Anëtarësimi i Kosovës është afër. Edhe Kosova i ka detyrat e shtëpisë që duhet t’i kryejë, këtë e mendoj kur them vendimet e duhura”- ka thënë Rohde.

Në anën tjetër, shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog, tha që nuk ka nevojë për mjete të reja për të shtyrë Kosovën drejt rrugës euro-atlantike pos asaj që mjetet ekzistuese duhet të përforcohen.

“Për mua e vetmja mënyrë për t’i arritur proceset e integrimit është dialogu. Ndalja e dialogut është mbyllje e derës”- ka thënë ai.

Në vitin 2023, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin Europës dhe në Bashkimin Europian.

Gjatë 16 vjet pavarësi, vendi ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Europiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Kosova nuk është ende as anëtare e Kombeve të Bashkuara, Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) e të tjera.