Vizita e Ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron në Kosovë. Foto: KALLXO.com

Kryediplomati britanik: Kemi ardhur në Kosovë për t’ju ndihmuar në të gjitha fushat e mundshme

Ministri i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron thotë që në Kosovë ka ardhur që ta mbështesë vendin në të gjitha fushat e mundshme.

Kryediplomati britanik që po viziton për herë të parë Kosovën, gjatë takimit me ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla- Schwarz, shprehu vullnetin e tij që të ndihmojë vendin në ekonomi dhe në largimin e korrupsionit.

Cameron tha që Britania e Madhe po investon në Kosovë për shkak se e konsideron shumë të rëndësishme. Gjithashtu, ai tha që duhet të ju ndihmojë vendeve tjera që të ketë stabilitet, dhe “kjo që po bëjmë në Kosovë do të vazhdojë”.

“Duam të vazhdojmë të ju ndihmojmë dhe jemi mbështetës i madh i pavarësisë”- tha ai.

Vizita e një Sekretari të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë është e para që prej vitit 2016. David Cameron ka qenë kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve 2010-2016 dhe aktualisht ushtron detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme.

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz tha që e ka falënderuar reagimin e shpejtë ndaj agresionit të Serbisë që patëm vitin e kaluar dhe dërgimin e trupave shtesë në kuadër të KFOR.

Gërvalla shpërfaqi nevojën që Ballkani dhe Evropa të kenë një strategji të re pasi ajo e vjetra është duke përfunduar. 

“Demokracia dhe sundimi i logjit duhet zbatuar konkretisht. Recetat e vjetra për zgjidhje të sfidave nuk kanë rezultat më”- tha Gërvalla gjatë takimit me homologun e saj.

Këtij takimi i kishte paraprirë një natë më parë darka pune e shtruar nga kryeministri Albin Kurti për diplomatin britanik.

Kurti në takim u shpreh i lumtur që vitin 2024 po e fillon me një takim të rëndësishëm dypalësh me “miken, partneren dhe aleaten e afërt të Republikës së Kosovës, Mbretërinë e Bashkuar”- teksa e uroi ministrin Cameron për detyrën e tij të re.

Në vizitën njëditore kryediplomati britanik do të zhvillojë takim edhe me presidenten, Vjosa Osmani- Sadriu.

Kurti shtron darkë për kryediplomatin britanik, David Cameron