MPB pagoi mbi 100 mijë euro paga për 20 pjesëtarë të ‘Mbrojtjes Civile’ pa shkuar në punë gjatë vitit 2022

Zyra Kombëtare e Auditimit ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme gjatë vitit 2022 kishte realizuar pagesa mbi 100 mijë euro për 20 punonjës të strukturës “Mbrojtja Civile”.

Më 29 qershor 2023, kjo strukturë me vendim të Qeverisë së Kosovës është shpallur organizatë terroriste.

Sipas ZKA-së, këta punëtorë nuk kanë pasur vijueshmëri në punë dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në ministri.

“MPB gjatë vitit 2022 kishte realizuar pagesa në vlerë prej 101,474 euro për 20 punonjës (të angazhuar me Marrëveshje të Brukselit) të cilët nuk evidentohen për vijueshmërinë në punë dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në Ministri”- thuhet në raport.

ZKA thotë se sipas një vendimi të Qeverisë në vitin 2015, ishte e obliguar t’i sistemojë 20 punonjës të komunitetit serb, pjesëtarë të strukturës ilegale të ashtuquajtur “Mbrojtja civile”.

MPB ende nuk ka arritur të ndërmarrë masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve.

“Sipas konfirmimeve nga zyrtarët e ministrisë këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në ministri. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2022 ishte 101,474 euro. Kjo dukuri vazhdon të jetë prezente ndër vite edhe pse në vazhdimësi raportohet në raportet tona të auditimit. Ministria ende nuk ka arritur të ndërmerr masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve”- theksohet në raport.

Auditori vlerëson se pagesat e pagave në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë, janë pagesa të parregullta dhe shkaktojnë dëmtim të buxhetit të ministrisë, teksa rekomandon që ministri duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar krijimin e kushteve për vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore.

ZKA ka publikuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të MPB-së për vitin 2022.

KALLXO.com ka raportuar më 30 qershor se edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka paguar mbi 70 mijë euro në emër të pagave për 20 pjesëtarë të strukturës ilegale “Mbrojtja civile”.

Kurse edhe në të kaluarën është raportuar se shteti ka ndarë buxhet në pagesën e këtyre zyrtarëve, të cilët përkundër se nuk punonin, paguheshin. Në vitin 2019, u patën shpenzuar 97 mijë e 733 euro për rrogat e tyre.

Kabineti qeveritar më 29 qershor ka marrë vendim që “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” shpallen organizata terroriste në Republikën e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë në Kosovë, formacionet ilegale “Mbrojtja Civile” dhe komponenta e saj “Brigada e Veriut”, paraqesin kërcënim serioz të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit.

Emblema të dy organizatave të cilat tashmë janë të njohura në veriun e Kosovës “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, janë parë më 23 qershor në një veturë me targa të Beogradit afër Komunës së Zveçanit, ku janë gjetur armatim, eksploziv e uniforma ushtarake.

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR-i në Kosovë kanë bërë të ditur se nuk kanë qenë të përfshirë në shpalljen e organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” si organizata terroriste nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës shpallë si organizata terroriste organizatat ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’