Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Miratohet Projektligji për dërgimin e FSK-së jashtë vendit

Me 68 vota pro Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha se dërgimi i FSK-së jashtë vendit ka domethënie të madhe.

“Ne jemi në proces e sipër për anëtarësimin në NATO, e kemi një plan të tranzicionit. Ka domethënie të madhe pjesëmarrja në operacione të jashtme”, tha ai.

Deputetët gjithashtu kanë miratuar edhe 12 amendamente të rekomanduara nga komisioni funksional për këtë Projektligj.

Projektligji numër 08/L-036 për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës i iniciuar nga Qeveria e Kosovës parasheh që dërgimi i FSK-së në operacione ndërkombëtare paqeruajtëse bëhet mbi bazën e marrëveshjeve me shtetin pranues, shtetin ftues, me ftesë të ndonjë organizate ndërkombëtare, apo me ftesë të ndonjërit nga shtetet anëtare të organizatave ndërkombëtare të sigurisë, si dhe me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërsa neni 16 i këtij Projetligji thotë që “përkujdesja për personelin para, gjatë dhe pas kthimit, si dhe përkujdesja ndaj familjes së tyre përgjatë misionit, është përgjegjësi institucionale, që rregullohet me akt të veçantë nënligjor të nxjerr nga Ministri i Mbrojtjes”.

Projektligjin të plotë mund ta gjeni në këtë link.