Albulena Haxhiu - Foto: Kallxo.com

Ministrja Haxhiu reagon pas arrestimit të asamblistit: Njerëz të tillë nuk kanë vend në Lëvizje

Lëvizja Vetëvendosje ka marrë vendim për shkarkimin e Besnik Mujecit nga strukturat e partisë pas arrestimit të tij në Shqipëri për trafikim të substancave narkotike.

Lidhur me këtë rast ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo ka thënë se veprimet për të cilat është arrestuar Besnik Mujeci janë krime të rënda dhe institucionet e drejtësisë ndaj tij dhe të tjerëve duhet të japin dënimet maksimale.

Sipas saj, “njerëz të tillë nuk kanë vend në Lëvizje”.

Haxhiu po ashtu ka thënë se për personat e arrestuar në Shqipëri do t’i adresojnë të gjitha kërkesat e institucioneve të drejtësisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës që nga fillimi i mandatit e ka pasur prioritet luftimin e krimit transnacional dhe në këtë drejtim deri tani përmes bashkëpunimit juridik, shumë trafikant i kemi sjellur para drejtësisë”- ka thënë tutje Haxhiu.

Sot, Policia e Shqipërisë njoftoi se gjatë një operacioni policor të koduar “Punisher 2”, janë arrestuar dy shtetas nga Kosova dhe tre nga Shqipëria nën dyshimin se ata trafikonin substanca narkotike.

Në mesin e të arrestuarve është edhe Besnik Mujeci, asamblist i LVV-së në Prishtinë. Sipas Policisë, të arrestuarit e tjerë janë Mithat Ramadani 30-vjeç, Kalem Picari, 24 -vjeç, Ambra Myftari 28-vjeçe, Daniel Avdija 26-vjeç, të tre banues në Tiranë.

Të arrestuarin tashmë LVV-ja e kishte vendosur si aksionar në ndërmarrjen lokale “Stacioni i Autobusëve” në Prishtinë në qershor të këtij viti.

Kush është Besnik Mujeci, asamblisti i LVV-së i arrestuar për narkotikë në Shqipëri