Kush është Besnik Mujeci, asamblisti i LVV-së i arrestuar për narkotikë në Shqipëri
Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Prishtinë, Besnik Mujeci, është në mesin e disa të arrestuarve në Shqipëri të martën, në dyshimin për trafikim dhe shitje të narkotikëve.
Të dyshuarit u kapën në Tiranë me një dërgesë të dyshuar narkotike prej 11,300 tabletash të llojit ‘ekstazi MDMA’, me peshë 5.093 kilogramë, vlera e të cilave në treg është rreth 400 mijë euro.
Besnik Mujeci përpos pozitës së këshilltarit në Kuvend Komunal nga radhët e LVV-së në kryeqytet, në partinë e tij nuk ka asnjë pozitë, kanë konfirmuar për KALLXO.com, nga LVV-ja.
Për Mujecin ky është mandati i dytë si asamblist. Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, ai kishte fituar 608 vota, kurse në ato të 2017-ës, Mujeci ka marrë 616 vota.
Sipas një biografie të publikuar në ueb-faqen zyrtare të komunës, Mujeci me profesion është jurist, teksa në vitin 2008 ka punuar si përkthyes. Po ashtu, Mujeci ka qenë menaxher i shitjes me pakicë në “Meridian Express” gjatë viteve 2012 – 2014.
Lëvizja Vetëvendosje sot ka inicuar procedurë disiplinore për asamblistin Mujeci, i arrestuar në Tiranë bashkë me katër persona të tjerë nën dyshimet për trafikim me narkotikë.
Në qershor të këtij viti në një seancë të jashtëzakonshme, Mujeci ishte emëruar si aksionar në në ndërmarrjen lokale “Stacioni i Autobusëve” në Prishtinë.
Në po atë seancë ishin shkarkuar aksionarët nga LDK dhe PDK, si dy parti që bashkëqeverisin me kryeqytetin. Derisa, më 27 qershor partitë në pushtet shfuqizuan këto vendime.
Por, ditë më pas Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal i shpalli të pavlefshme dhe pa efekt juridik vendimet e fundit pasi, sipas MAPL, ishin marr pasi Kryesuesi ka mbyllur mbledhjen.
Përparim Rama në një deklarim në “Kallxo Përnime” është shprehur se seanca është lëshuar nga ana e kryesuesit dhe nuk është mbyllur.
Asamblisti i LVV-së, në deklarim të pasurisë, nuk ka të deklaruar pasuri të luajtshme apo paluajtshme.
Tek pasuria e paluajtshme, figuron një banesë në vlerë prej 30 mijë euro, por që është në pronësi të bashkëshortes së Mujecit.
Ndërkaq, ai ndaj bankës ka një detyrim financiar prej 5 mijë euro.
Sipas deklarimit tek të ardhurat vjetore, Mujeci pagë përmes listës së pagave, i merr 212 euro, kurse nga punët me kontratë ai paguhet 320 euro.
Lëvizja Vetëvendosje ka inicuar procedurë disiplinore për asamblistin e arrestuar në Tiranë bashkë me katër persona të tjerë nën dyshimet për trafikim me narkotikë, Besnik Mujeci.
Zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, ka bërë të ditur se Komisioni Disiplinor do të mbajë sot një mbledhje urgjente.
“Me të marrë informacionin kemi inciuar menjeherë procedurën disiplinore me ç’rast Komisioni Disiplinor i LV-së do të mbajë mbledhje urgjente për të trajtuar rastin në fjalë. Pas mbledhjes do t’ju njoftojmë mbi vendimin” – ka thënë Manxhuka për KALLXO.com.
Policia e Shqipërisë ka njoftuar se gjatë një operacioni policor të koduar “Punisher 2”, janë arrestuar dy shtetas nga Kosova dhe tre nga Shqipëria nën dyshimin se të njëjtit trafikonin substanca narkotike.
Sipas Policisë, të arrestuarit janë Mithat Ramadani 30 vjeç dhe Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Konfirmohet arrestimi i asamblistit të Vetëvendosjes, dyshohet për trafikim të narkotikëve