Avokati Besnik Berisha - Foto: KALLXO.com

Prokuroria kërkon një muaj paraburgim për avokatin Besnik Berisha dhe gjashtë të dyshuarit e tjerë

Prokuroria e Ferizajt njofton se ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj avokatit Besnik Berisha dhe gjashtë të pandehurve me inicialet N.Xh., I.S., R.C., F.Z., J.V., dhe A.S., të cilët me vendim të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit 48-orësh.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, për të pandehurin N.Xh., ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale – dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale, dhe -pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare.

Për të pandehurin Besnik Berisha, Prokuroria thotë se ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale – ushtrimi i ndikimit; dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale, dhe pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare.

Ndërsa, për të pandehurin I.S., ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale – pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare.

Më tej Prokuroria thekson se për të pandehurin J.V., ekziston dyshimi i bazuar se ka veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar dhe marrja e ryshfetit.

Kurse, ndaj të pandehurit me inicialet F.Z. ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar.

Ndërkaq, ndaj të pandehurit me inicialet R.C. ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale – ushtrimi i ndikimit, dhe ndaj A.S., sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale – ushtrimi i ndikimit.

Në Gjykatën e Ferizajt sot u mbajt seanca dëgjimore me 6 të arrestuarit e djeshëm, ndërsa i arrestuari i shtatë, avokati Besnik Berisha, për shkak se është i shtrirë në QKUK, ishte i pranishëm në seancën e sotme dëgjimore.

Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu, ka konfirmuar sot gjatë ditës së avokati Besnik Berisha gjendet i shtrirë në këtë insistucion shëndëtesor.

KALLXO.com ka publikuar dosjen e Prokurorisë në lidhje me rastin e avokatit Besnik Berisha.