Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministrja Gërvalla shkarkon nga detyra Gramos Begollin, konsull në Hamburg

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPDJ), Donika Gërvalla ka marrë vendim për lirimin e nga detyra të Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Hamburg, Gramos Begolli.

Begolli kishte pranuar dy vendime për lirim të detyrës, të parin e kishte pranuar më 7 shkurt, kur edhe ishte nënshkruar dekreti i presidentes, në të cilin i kërkohej që më 31 mars të kthehej në Kosovë.

Mirëpo në një vendim të pranuar dje, të siguruar nga KALLXO.com, Gërvalla i kishte kërkuar Begollit që të kthehej menjëherë në Kosovë.

Vendimi për kthimin në shtëpi të Begollit ka hyrë në fuqi menjëherë dje.

Begolli ishte përfshirë në një polemikë me ministren Gërvalla, më 17 shkurt, kur në Hamburg ishte organizuar një event për 14 vjetorin e pavarësisë.

Ai, përmes një emaili të dërguar kryeministrit Albin Kurti ishte ankuar se ministrja Gërvalla kishte ndërhyre në agjendë, duke shtuar një përkrahës të listës ‘Guxo’.

“Ajo e hoqi nga agjenda e eventit një diplomat të akredituar dhe përfaqësues të institucioneve dhe e zëvendësoi me një aktivist partiak. Për më tepër, Ministrja erdhi në Gjermani duke shkelur protokollin diplomatik të shtetit të Gjermanisë si dhe atë të Kosovës duke udhëtuar në mënyrë private për të marrë pjesë në një event zyrtarisht të organizuar nga institucionet e Republikës së Kosovës”, i pati shkruar ndër të tjera Begolli Kurtit.

KALLXO.com ka kontaktuar zyrën për media të qeverisë si dhe ministren Gërvalla për pretendimet e Begollit, mirëpo të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje për këtë çështje.

Në fillim të shkurtit, në polemikë me mediat ishte përfshirë edhe bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani i cili i kishte quajtur gazetarët ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’.

Sadriu përveç që është pjesëtar i komponetës rezervë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) është edhe i ngarkuar me punë në ambasadën e Kosovës në Shkup.

Ndaj deklaratave të Sadriut ka reaguar Federata Evropiane e Gazetarëve, eurodeputetja Viola Von Cramon e Asociacioni i Gazetarëve i Kosovës.

Organizata ‘Reporterët pa Kufij’ dhe disa organizata të tjera ndërkombëtare i kanë kërkuar presidentes së vendit, Vjosa Osmani si dhe kryeministrit Albin Kurti, për të ndalur gjuhën diskredituese dhe denigruese ndaj gazetarëve.

Ndërsa presidentja Vjosa Osmani ka thënë se deklarimi i bashkëshortit të saj është nxjerrë nga “konteksti”.

KALLXO.com kishte pyetur kryediplomaten Gërvalla nëse do të merren masa ndaj deklaratave të Sadriut, mirëpo e njëjta kishte refuzuar të përgjigjet për këtë çështje.