Foto: Ambasadori amerikan Jeff Hovenier në X.

Ministrja Gërvalla priti në takim lamtumirës ambasadorin Hovenier në kompleksin memorial të familjes së saj në Dubovik

Duboviku i Deçanit, aty ku gjendet Kompleksi Memorial i Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, ishte vendi ku ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e priti për vizitën lamtumirëse ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier.

Hovenier, ambasadori që udhëhoqi për gati tre vite misionin diplomatik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, po e përfundon mandatin e tij.

“Diskutuam progresin që ka bërë Kosova gjatë mandatit tim këtu dhe përkushtimin e Qeverisë së SHBA-së për avancimin e rrugës europiane dhe euroatlantike të Kosovës”- ka shkruar Hovenier në rrjetin social “X”, bashkëngjitur me fotografi nga pamjet brenda kompleksit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para ca ditësh kishte marrë pjesë në pritjen lamtumirëse të ambasadorit Jeffrey Hovenier, që u mbajt në ambientet e Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Në adresimin e tij, Kurti u shpreh se në këto gati tre vjet sa ka shërbyer Hovenier si ambasador në Kosovë, marrëdhëniet e veçanta të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë rritur në një numër rrafshesh.

“Nga rritja e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe inteligjencës, te mbështetja për zgjerimin e kapaciteteve energjetike të Kosovës, e te vlerësimi i parë kreditor i Kosovës. Në të gjitha këto fusha, por jo vetëm, kryeministri tha se puna dhe dedikimi i ambasadorit Hovenier kanë qenë qenësore në progresin tonë” – tha ai.

Ambasadori Hovenier ia dorëzoi letrat kredenciale presidentes Vjosa Osmani Sadriu më 10 janar 2022.

Gjatë gjithë karrierës së tij më shumë se 30-vjeçare dhe në funksione të ndryshme, ambasadori Hovenier ka përfaqësuar prioritetet dhe angazhimet strategjike të SHBA-së për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Në vitin 1999, ndërsa shërbente në misionin e SHBA-së në OSBE, ai ishte anëtar i delegacionit të SHBA-së në Procesin e Rambujesë.

17 janari i vitit 1982 është dita kur u vranë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.

Atentati mbi vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë.

Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre shtetas jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftojnë mes tyre.