Ilustrim

Ministria e Shëndetësisë prezanton udhëzues për përdorimin e antibiotikëve

Ministria e Shëndetësisë ka prezantuar sot një udhëzues për përdorimin e antibiotikëve në kujdesin parësor shëndetësor, për t’u përdorur nga mjekët, me qëllim ruajtjen e efikasitetit të antibiotikëve.

Në një tryezë të mbajtur, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka diskutuar me të pranishmit për rrezikun e rezistencës antimikrobike, e cila zhvillohet te bakteret për të mposhtur ilaçet e krijuara për t’i vrarë ato.

Sipas njoftimit të Ministrisë, Vitia tha se kjo rezistencë ka potencialin të prekë njerëzit në çdo fazë të jetës, si dhe të sfidojë sistemin shëndetësor dhe se kjo e bën atë një nga problemet më urgjente të shëndetit publik në botë.

“Rëndësia e udhëzuesit për përdorimin e antibiotikëve duhet të konsiderohet si një hap drejt një plani konkret që do të ngërthejë synime të koordinuara strategjike për të përshpejtuar reagimin e Qeverisë ndaj rezistencës antimikrobike me qëllim të përmirësimit të shëndetit të qytetarëve” – është shprehur ministri.

Ministria e Shëndetësisë, siç thotë Vitia, deri më tani ka zbatuar dy plane veprimi, në përputhje të plotë me Planin Global të Veprimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për rezistencën antimikrobike dhe Konkluzat e Këshillit të Europës.

“Në këtë ngjarje, të pranishmit thanë se ndonëse në shtetin tonë është shënuar ulje e ndjeshme në konsumin total të antibiotikëve prej gati 25%, megjithatë, ende kemi shkallë të lartë të keqpërdorimit të antibiotikut “Ceftriakson” në Kujdesin Parësor Shëndetësor” – njofton Ministria e Shëndetësisë.

Ky udhëzues është mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC, dhe nga organizata Accessible Quality Helthcare (AQH).

“Udhëzuesi do të jetë ndihmesë edhe në realizimin e projektit “International Center for Antimicrobial Resistance Solution”. Ky projekt trevjeçar do të nis i cili do të fillojë gjatë vitit  2024, do të fokusohet vetëm në përdorimin e drejtë të antibiotikëve në Kujdesin Parësor Shëndetësor” – thuhet tutje në komunikatën e MSH-së.

Arben Vitia në këtë tryezë ka njoftuar se rezistenca antimikrobike është përfshirë si nen i veçantë në Ligjin aktual për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse, i cili tashmë është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Foto: Ministria e Shëndetësisë