Pamje nga ekspozita me koleksionet e Shaqir Hotit. Foto KALLXO.com

Ministria e Kulturës nis inventarizimin e trashëgimisë muzikore të Shaqir Hotit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nisur procesin për inventarizimin e trashëgimisë shpirtërore të lënë nga instrumentisti Shaqir Hoti.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku gjatë hapjes së ekspozitës me instrumentet origjinale të Shaqir Hotit në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

“Inventarizimi do të sigurojë katalogimin, regjistrimin, mbrojtjen dhe afirmimin e trashëgimisë shpirtërore – muzikore të tij, në tërësinë e saj, në çdo element fizik, audio- vizuel, të shkruar si reprezentues qendror në repertorin kulturor të Kosovë”, ka thënë ministri Çeku.

Ministri ka shtuar se institucionet përkatëse kulturore e të trashëgimisë, janë duke punuar në kompletimin dhe ruajtjen e trashëgimisë së këtij krijuesi.

Fondi i koleksionit të trashëgimisë shpirtërore – muzikore i Shaqir Hotit, përfshinë qindra instrumente frymore, partitura muzikore e objekt tjera që do të merren në mbrojt nga MKRS.

Hoti konsiderohet si një prej etnomuzikologëve më të veçantë kosovar.

Arkeologu Milot Berisha konsideron se ai është etnomuzikologu i parë eksperimental kosovar, duke pasur parasysh punën që ka bërë në krijimin e instrumenteve frymore.

“Shaqir Hoti është muzikologu i parë eksperimental në Kosovë”, ka thënë Berisha.

Koleksioni i instrumenteve frymore të Hotit përfshin edhe instrumente milimetrike frymore të ndërtuara nga lajthia apo materialet tjera.

Pamje nga ekspozita me koleksionet e Shaqir Hotit. Foto KALLXO.com
Pamje nga ekspozita me koleksionet e Shaqir Hotit. Foto KALLXO.com