Ansambli 'Bajram Curri'. Foto: Facebook/Emin Sahiti.

Shteti e merr në mbrojtje, Ansambli ‘Bajram Curri’ në kërkim të shtëpisë së tij

Ansambli Kulturoro – Artistik “Bajram Curri” i Prishtinës është shpallur aset në mbrojtjen e shtetit të Kosovës, në gusht të këtij viti.

Që nga themelimi më 1965, Ansambli “Bajram Curri” ka funksionuar si ansambël i kryeqytetit duke ruajtur dhe kultivuar muzikën burimore shqiptare.

Vendimi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit me nr. 145/2023, për futjen në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme është marrë më 11.08.2023. Ansambli “Bajram Curri” është futur në kategorinë e Trashëgimisë shpirtërore me numër unik  4871. Qëllimi është që të ruhet trashëgimia kulturore, artistike e shpirtërore që për më shumë se 58 vjet kultivoi ky ansambël.

Por, që nga përfundimi i luftës, shteti nuk ka bërë shumë për të ruajtur dhe mundësuar vazhdimësinë institucionale të këtij ansambli.

Në tri vitet e fundit MKRS nuk ka mbështetur asnjë nga projektet e ansamblit, ndërsa Komuna e Prishtinës nuk ka përgjigje pse ky ansambël nuk u rikthye në objekte publike, aty ku funksionoi deri në vitet 90-ta të shekullit të kaluar.

Duke mos pasur një hapësirë të veçantë, që nga paslufta ansambli ka funksionuar aty ku ka mundur, nëpër objekte shkollore.

Ansambli “Bajram Curri”, deri në fillim të viteve 1990-të zhvilloi veprimtarinë e tij, në shtëpinë e ansambleve amatore e më pas nga viti 1980-1990 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Ansambli pa “shtëpi” 

Emin Sahiti, menaxher në Ansamblin “Bajram Currin” e ka quajtur veprim të rëndësishëm vendimin e MKRS për futjen e ansamblit “Bajram Curri” në Listën për Mbrojtje të Përkohshme.

Ai thotë se nga ky ansambël kanë dalë emra të njohur të artit në Kosovë.

“Pjesë e këtij ansambli kanë qenë artistët tanë si: Riza Bytyçi, Ismet Bogujevci, Rasim Thaqi, Shirene Morina, Esat Bicurri, Sadat Kuqi, Ejup Bytyçi, Xhavit Sadiku, Mihrije Prapashtica, etj. Që nga themelimi e deri më sot ansambli ka krijuar një opus të madh të muzikës dhe valleve popullore”- ka thënë Sahiti për KALLXO.com.

Por, ai thotë se ansambli ka nevojë urgjente për që institucionet t’ia ofrojnë një hapësirë ku do të zhvillonte provat, sistemonte fondusin e arkivin që do të garantonte vazhdueshmërinë dhe ruajtjen e trashëgimisë së tij.

“Ansamblit i duhet një hapësirë për të ruajtur vazhdimësinë, edhe kjo urgjentisht, pasi nuk po ka ku t`i mbajë provat. Ne kemi kërkuar zgjedhje nga Komuna e Prishtinës, qoftë edhe të rikthehemi në objektet ku kemi funksionuar në ish objektin e ansambleve amatore apo në Pallatin e Rinisë, por deri më tani nuk na kanë bërë zgjedhje”- ka thënë ai, duke shtuar se ansambli ka rreth 100 anëtarë.

Sipas tij, gjitha aktivitetet që i mbanë ansambli bëhen në mënyrë vullnetare e nga anëtarëve.

Ministria s`ka para e Komuna vend për “Bajram Currin”

Komuna e Prishtinë nuk ka pasur përgjigje lidhur me kërkesën e Ansamblit “Bajram Curri” për gjetjen e një lokacioni për të.

Në një përgjigje për KALLXO.com komuna ka thënë se e vetmja ndihmë për ansamblet është mbështetja financiare e projekteve të tyre.

“Drejtoria e Kulturës mbështetjen e ansambleve mund ta bëjë vetëm përmes thirrjeve publike për subvencione, dhe për këtë vit Ansambli “Bajram Curri” kanë qenë përfitues të subvencioneve në vlerë prej 5,000 euro”- thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës për KALLXO.com.

Ndërsa, MKRS nuk ka kthyer përgjigje lidhur me arsyen e mos mbështetjes së projekteve të Ansamblit “Bajram Curri”, për këtë vit.

 Vendimi për mbrojtje

Vendimi i MKRS për futjen e Ansamblit “Bajram Curri”, trashëgimisë kulturo artistike, në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme është marrë më 11.08. 2023.

Sipas këtij vendimi, ky ansambël është futur në kategorinë e Trashëgimisë shpirtërore, duke pasur parasysh vlerën historike e artistike; promovimin e këngëve e valleve autentike, instrumentet, veshjet tradicionale, etj. Ansambli “Bajram Curri” ka vazhduar veprimtarinë pa ndërprerë që nga themelimi deri në ditët tona, diçka që e bën një institucione të veçantë të promovimit të traditës etnokulturore të Kosovës.

Sipas MKRS, ky ansambël që nga themelimi ka luajtur rolin e një shkolle për ruajtjen e trashëgimisë kulturore- shpirtërore.