Iphone | Foto: Facbook

Ministria e Integrimit Shpenzon 1,210 euro për Dy Telefona

Ministria e Integrimit Europian i ka blerë edhe dy telefona të shtrenjtë. Kësaj ministrie i kanë kushtuar 1 mijë e 210 euro telefonat e mençur.

Dy anëtarë të kabinetit të Ministres së Integrimeve Mimoza Ahmetaj do të pajisen me telefon të mençur “Black Berry” dhe Iphone 6 Plus. Për blerjen e tyre do të shpenzohen 1 mijë e 210 euro nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Kjo ministri i kishte planifikuar 1 mijë e 300 euro për blerjen e këtyre telefonave, bazuar në specifikacionet e larta që i kishte hartuar.

“Sasia e telefonave të blerë është 2 copë në bazë të specifikacionit teknik, hartuar nga Divizioni i Teknologjisë Informative dhe i Shërbimeve Logjistike. Modelet e ofruara  nga operatori ekonomik kanë qenë: njëri telefon është i markës ‘Black Berry’ dhe tjetri Iphone 6 Plus”, ka thënë për KALLXO.com, zyrtari  për informim i Ministrisë së Integrimit Europian, Flamur Salihu.

Në përgjigjet e ministrisë nuk tregohet se kush do t’i shfrytëzojë këta dy telefona. Por, këta telefona janë blerë për stafin politik.

“Porosia është për nevojat e kabinetit të Ministrisë së Integrimit Europian”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për KALLXO.com

Kjo ministri thotë se blerja e telefonave ishte planifikuar në fillim të vitit 2017 dhe kjo blerje  ka qenë e planifikuar në planin final të prokurimit publik për vitin 2017.

Nuk ka kaluar shumë kohë prej që Ministria e Integrimit Europian kishte blerë telefon luksoz.

Në janar të këtij viti, Ministria e Integrimit Europian kishte shpenzuar 850 euro për një telefon të mençur.
KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për shpenzimet e institucioneve publike për blerjen e telefonave me paratë e buxhetit.

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!