Ministria e Tregtise dhe Industrise. Prishtine, 03.06.15. Photo:Atdhe Mulla

Ministria e Industrisë ndan subvencion 1 milion euro për blerjen e makinerive prodhuese

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka hapur thirrjen për subvencionimin e ndërmarrjeve për blerje të makinerive prodhuese.

Sipas njoftimit, të drejtë përfitimi kanë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, ndërsa shuma totale e këtij granti është 1 milion euro.

Ministria ka thënë se qëllimi i këtij granti është zvogëlimi i deficitit tregtar përmes rritjes së kapaciteteve prodhuese të ndërmarrjeve, rritjen e investimeve, rritjen e eksportit dhe hapjes së vendeve të reja të punës.

Granti do të jetë i ndarë në tri pjesë.

Në LOT 1 për ndërmarrjet mikro deri në 9 të punësuar, derisa buxheti total është 400 mijë euro.

Në LOT 2 për ndërmarrjet e vogla me deri në 50 të punësuar, buxheti total do të jetë 400 mijë euro.

Ndërsa për ndërmarrjet e mesme me të punësuar nga 50 deri në 249 punëtorë buxheti total do të jetë 200 mijë euro.

“Po ashtu një Ndërmarrje Mikro, me të punësuar deri në 9 punëtorë, mund të përfitojë vlerën maksimale deri 20 mijë euro; Ndërmarrjet e Vogla, me të punësuar deri 49 punëtorë, mund të përfitojë vlerën maksimale deri 35 mijë euro dhe Ndërmarrjet e Mesme, deri 249 punëtorë, mund të përfitojë vlerën maksimale deri 50 mijë euro” – thuhet në njoftim.

Afati për dorëzimin e aplikacionit dhe dokumenteve përcjellëse është deri me datën 29.06.2023, në ora 16:00.

Për informata më të plota mund të klikoni KËTU dhe KËTU.