Ministria e Financave

Ministria e Financave propozon rritjen e pensioneve për tre muajt e ardhshëm

Zëvendësministri i Financave, Ilir Aliu, ka publikuar propozimin e Ministrisë për skemat pensionale.

Sipas postimit të Aliut, fokusi i parë i masave të qeverisë shkon drejt përfituesve të skemave sociale, të cilët me vështirësi e sigurojnë mbijetesën.

“Në muajin mars, diku 98.100 qytetarë të vendit të përfshirë në këtë skemë, kanë marrë një asistencë shtesë mujore që në tërësi kap vlerën e 2.55 milionë euro. Ngjashëm do të veprohet edhe në dy muajt në vijim, duke e ngritur vlerën e intervenimit në 7.6 milionë euro”, thuhet në njoftimin e zëvendësministrit Aliu.

Ndërsa si pikë e dytë është që përfituesit e skemave pensionale, që përfitojnë në baza mujore më pak se 100 euro, për tre muajt e ardhshëm t’u shtohen edhe 30 euro.

“Në këtë grup hyjnë kryesisht përfituesit e skemës së pensioneve bazike; pensionet për persona me aftësi të kufizuara dhe përfituesit e pensioneve familjar (të gjitha këto kategori përfitojnë nga ky vendim, vetëm nëse nuk janë njëkohësisht pjesë e më shumë se një skeme pensionale nga e cila marrin të hyra të rregullta”, thuhet në njoftim.

Sipas Aliut, po ashtu do të përfshihen përkohësisht në skema të gjitha ata të cilët nuk kanë arritur të rinovojnë pretendimet e tyre në dy muajt e parë të vitit 2020, sipas Aliut, kjo nënkupton 13 milion euro shtesë në total.