Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri Vitia tregon sa vaksina do të vijnë në javët e ardhshme

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sot në një konferencë për media ka konfirmuar se 133 mijë e 234 doza të vaksinave “AstraZeneca” u ka skaduar afati.

Ai tha se në fund të kësaj jave pritet të vijnë nga Gjermania 150 mijë doza të vaksinave “AstraZeneca”, kështu duke treguar se donacione me vaksina pritet të vijnë edhe gjatë javëve në vazhdim.

“Presim në fillim të kësaj jave ose në fund të kësaj jave të marrim edhe 150 mijë e vaksina nga Gjermania dhe një javë më pas, pra në javën e tretë të shtatorit edhe 100 mijë nga Italia janë donacione të miqve tanë që në këtë kohë janë treguar solidarë dhe u jem mirënjohës”, tha ministri.

Sipas ministrit këto vaksina kanë afat deri në nëntor të këtij viti.

Ai po ashtu bëri të ditur se në fillim të javës tjetër do të vijnë edhe pjesa tjetër e vaksinave të prodhuara nga “Pfizer” përmes programit COVAX prej donacionit të ShBA-së prej 50 mijë dozave si dhe “mbi 200 mijë doza nga kontrata me kompaninë ‘Pfizer’ të cilat do të vazhdojnë të vijnë në fillim të çdo jave”.

Ndërsa sa u përket dozave të vaksinave nëpër qendra të vaksinimit, Vitia potencoi se aktualisht janë 108 mijë e 850 doza “Pfizer” si dhe 46 mijë e 947 “AstraZeneca”.

Në anën tjetër, gjatë 24 orëve në nivel vendi janë vaksinuar 15 mijë e 835 qytetarë.

Procesi i imunizimit në nivel vendi ka filluar më 29 mars të këtij viti dhe përreth gjashtë muaj në Kosovë janë vaksinuar me një dozë 841 mijë e 591 përderisa me dy doza janë vaksinuar 284 mijë e 269 qytetarë.

Ministria e Shëndetësisë po ashtu ka bërë të ditur se për 24 orë në nivel vendi kanë vdekur 22 qytetarë me COVID-19 ndërsa kanë rezultuar pozitivë  1 mijë e 894 qytetarë

Mbi 133 mijë vaksina hidhen në bërllok