Ministri Vitia jep sqarime për rastin e Behgjet Pacollit

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se kthimi dhe mundësia për karantinimin e deputetit të AKR-së, Behgjet Pacolli, është një çështje që është politizuar pa nevojë.

Vitia ka shtuar se Pacolli do të mund të karantinohet edhe në shtëpinë e tij nëse paraqet dokumentacionin e nevojshëm për gjendjen shëndetësore.

“Nuk kemi pasur as edhe një shkëmbim zyrtar të e-mail-ve apo ndonjë telefonatë zyrtare. Kjo gjë është politizar pa nevojë dhe më shumë se që duhet.  Të gjithë personat tjerë që nuk kanë pasur sëmundje ose arsye tjetër janë vendosur në karantinën në Qendrën e Studentëve”, tha ai në Klan Kosova.

Ministri në detyrë shtoi se Pacolli ka mundur vetëm të dergojë në Ministri një e-mail me dokumentacionin e kërkuar.

“Unë kam provuar ta thërras direkt z. Pacolli qysh në mëngjes për t’i treguar qe proceduart janë këto dhe nuk ka nevojë të politizohet. Në momentin qe secili qytetar hyn në Kosovë, kontrollohet nga ekipet e qendrave të mjekësisë familjare, prezantohet dokumenti nëse ka ndonjë shqetësim, nënshkruhet deklarata nën betim, dhe cilido nga krerët që mund të jetë, përfshirë edhe kryeminsitrin,  udhëzohet që të shkojë 14 ditë në vetizolim në shtëpi”, është shprehur ai.

Pacolli në mëngjesin e sotëm ka shkruar se Ministria e Shëndetësisë nuk e ka lejuar kthimin e tij në Kosovë, si dhe ka kundërshtuar masat se ai duhet të karantinohet në Qendrën e Studentëve.

Ndërkaq, gjatë ditës atij i është dhënë leja për aterrim në Kosovë, mirëpo Pacolli pasdite ka udhëtuar për në Tiranë ku edhe gjendet aktualisht.