Foto: Facebook/Xhelal Sveçla

Ministri Sveçla takon komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, e njofton me provat e sulmit në Banjskë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka zhvilluar një takim me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, admiralin Stuart B. Munsch.

Sveçla përmes një postimi në Facebook ka thënë se admiralin Munsch e ka falënderuar për ngritjen e kapaciteteve veçanërisht pas sulmit terrorist të organizuar dhe mbështetur logjistikisht dhe financiarisht nga Serbia ndaj Kosovës më 24 shtator.

Ministri ka bërë të ditur se admiralin Munsch e ka njoftuar për provat që janë duke i mbledhur për sulmin e 24 shtatorit.

“E njoftova Admiralin Munsch që institucionet tona të sigurisë janë duke punuar intenzivisht në analizimin e të gjitha provave të sulmit terrorist, të cilat deri më tash dëshmojnë qartë për përfshirjen e Serbisë dhe autoriteteve të saj në organizimin operacional të këtij sulmi”- ka shkruar ai në facebook.

Ministri i Brendshëm ka theksuar se Republika e Kosovës ka qenë dhe vazhdon të jetë vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor duke qenë thellësisht me vlerat perëndimore.

“Bashkëpunimi mes institucioneve tona të sigurisë, NATO-s dhe partnerëve tanë është i ngushtë dhe do të vazhdojë të jetë i tillë gjithmonë” – ka theksuar ai.

Mëngjesin e 24 shtatorit 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Sekuestrimi i armëve të tjera po vazhdon që nga 24 shtatori, të cilat janë braktisur nga grupi terrorist në Banjskë dhe në zonën përreth. Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan.

Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, mirëpo autoritetet e Kosovës kanë theksuar se prapa këtij sulmi janë institucionet e Serbisë.

Dje Sveçla ka zbuluar identitetin e njërit prej pjesëtarëve të grupit që kreu sulmin terrorist, duke thënë se i njëjti është bashkëpunëtor i djalit të presidentit serb.

Sveçla: Njëri nga terroristët e sulmit në Banjskë, bashkëpunëtor i afërt i djalit të Vuçiqit