Vetura e Milorad Jevtic

Sveçla: Njëri nga terroristët e sulmit në Banjskë, bashkëpunëtor i afërt i djalit të Vuçiqit

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka bërë publik identitetin e njërit nga terroristët e sulmit në Basnjë të Zveçanit më 27 shtator.

Sveçla ka publikuar letërnjoftimin e Milorad Jevtic për të cilin ka thënë se ka qenë në edhe në sulmin e 19 majit në Zveçan dhe se është shok i djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, Danilo Vuçiq.

“Në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur sulmi, njësitet policore kanë gjetur dokumentin personal dhe veturën e Milorad Jevtic gjë që dëshmon se ai ka qenë në njësitin që kanë sulmuar Policinë e Kosovës. Terroristi Milorad Jevtic njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danilo Vuciq, djalit të presidentit serb Aleksandar Vuciq”- ka shkruar Sveçla në facebook.

“Nga 5 vizitat e fundit të djalit të Vuciqit në Kosovë, 4 herë ata kanë qenë bashkë në të njëjtën veturë. Milorad Jevtiq është identifikuar edhe si njëri ndër sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan”- ka vazhduar ai.

Sipas ministrit, mbetet që organet e sigurisë dhe hetimet të zbulojnë se përveç presidentit serb Vuçiq dhe strukturave të larta shtetërore serbe, a ka qenë edhe djali i tij në planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Mëngjesin e 24 shtatorit 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Sekuestrimi i armëve të tjera po vazhdon që nga 24 shtatori, të cilat janë braktisur nga grupi terrorist në Banjskë dhe në zonën përreth. Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan.

Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.