Foto: Vrojtuesit e Lagjes/Facebook

Ministri reagon për tymin që del nga oxhaqet e termocentralit në Obiliq

Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Qeverisë në largim, Valdrin Lluka, përmes një publikimi në Facebook ka thënë se po ndjehet i trishtuar për ndotjen ambientale që po bëhet në Obiliq nga termocentrali.

Ai ka treguar se kjo ndotje është shkaktuar, pasi KEK-u po e bën pastrimin e kazanit të bllokut A3, i cili do të zgjasë tre orë në ditë për katër ditë rresht.

Reagimi i Llukës erdhi pas publikimit të një fotografie me tymtarët e termocentralit në Obiliq duke nxjerrë tym të zi.

Lluka ka thënë se këtë ndotje e ka shkaktuar teknologjia e vjetërsuar e këtij termocentrali, duke shtuar se nga stina e dimrit Kosova A do të ketë edhe një bllok shtesë për të mundësuar stabilitet energjetik për vendin.

Në fund Lluka ka lutur qytetarët e Obiliqit që gjatë këtyre tri orëve të kufizojnë daljet në ambiente të hapura.

I trishtuar nga kjo foto që mora nga Vrojtuesit e lagjes – Prishtinë, menjëherë e kontaktova Drejtorin e Përgjithshëm të Korporatës Energjetike të Kosovës, Njazi Thaqi, për të kuptuar arsyen e kësaj ndotje ambientale. Nga KEK kuptova që ky tym ndodhë për shkak të pastrimit të kazanit të bllokut A3 i cili për 4 muaj ka qenë në remont dhe tani, pas përfundimit të remontit dhe para fillimit të punës, duhet të bëhet pastrimi i cili zgjatë për 4 ditë me rreth 3 orë ne ditë. Është proces i pashmangshëm për teknologjinë e vjetërsuar të këtij termocentrali. Ju lutem qytetarëve në rajonin e Obiliqit që gjatë kësaj kohe 3 orëshe kur fillon procesi, të kufizojnë daljet në ambiente të hapura. Si ministër përgjegjës për sektorin energjetik, ju kërkoj ndjesë për këtë pamje dhe proces të nevojshëm. Nga ana tjetër pozitive, në përgatitje për dimër, një bllok shtesë të Kosovës A do ta kemi në dispozicion që do të ofroj stabilitet energjetik për vendin”, ka shkruar Lluka.

Ndaj kësaj ndotjeje ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, duke thënë se kjo gjendje në Obiliq është bërë e papërballueshme.

Gashi ka thënë se fshatrat Dardhishtë, Hade, Lajthishtë e Palaj tashmë kanë një jetë të vështirësuar për shkak të pluhurit dhe zhurmës që po shkakton termocentrali Kosova B.

Sipas Gashit, e gjithë kjo gjendje është si pasojë e mos respektimit të Ligjit për Obliqin, duke shtuar se Komuna e Obliqit kërkon ndihmë nga Qeveria për zgjidhjen e këtij problemi.

Situata e krijuar në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), tymi nga të gjithë tymtarët si dhe zhurmat nga e gjithë teknologjia e po ashtu testimet e vazhdueshme, tanimë janë bërë të papërballueshme për të gjithë banorët e komunës së Obiliqit e me theks të veçantë banorët në fshatrat Dardhishtë, Hade, Lajthishtë e Palaj, të cilët ndihen të pa sigurt dhe të dëmtuar nga pluhrat. Për shkak të mos respektimit të Ligjit të Obiliqit, për krijim të brezit të sigurisë, tani është krijuar kjo gjendje ku Obiliqi, Plemetini e pothuajse i gjithë territori i komunës nga zhurmat e krijuara në TC “Kosova B” e këto ditë janë shtuar edhe tymtarët me tymin dhe pluhurin e vazhdueshëm, jetën e kanë edhe më të vështirësuar, e kjo është cekur në vazhdimësi nga udhëheqja e komunës duke rikujtuar edhe operatorit obligimet që dalin nga Ligji për Obiliqin. Reagimet e vazhdueshme të komunës ndaj KEK si dhe apeli te organet gjegjëse konkret te MMPH-ja, sikur kanë hasur në vesh të shurdhër dhe kanë harruar obligimet që kanë ndaj komunitetit ku operojnë, obligime këtë të cekura me Ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës. Prandaj edhe sot, komuna e Obiliqit kërkon ndihmë nga Qeveria e Kosovës gjegjësit nga Ministria e Planifikimit dhe departamentet përkatëse të saj që merren me trajtimin e këtyre çështjeve kaq delikate”, ka shkruar Gashi.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.