Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

Nënshkruhet kontrata rreth 3.5 milionë euro për riparimin e kaldajës së bllokut A5

Korporata Energjetike e Kosovës ka nënshkruar kontratë për riparimin emergjent të kaldajës së bllokut A5 të termocentralit “Kosova A”.

Kontrata në vlerë 3 milionë e 495 euro është nënshkruar me Grupin e Operatorëve “Litwin SA & Bujar B. Shala B.I.”.

Sipas njoftimit, kohëzgjatja e kontratës është nga 25 janari deri më 31 mars 2023. Derisa në një njoftim të mëhershëm KEK-u kishte njoftuar se blloku A5 i TC “Kosova A” pritet të kthehet në funksion në fillim të muajit prill.

Tenderi është nënshkruar përmes procedurës së negocuar me çmimin më të ulët si kriter për dhënien e kontratës. Kontrata është nënshkruar 9 ditë që nga shpallja e tenderit.

Në dhjetor të vitit të kaluar KEK kishte lidhur kontratë për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”dhe pritet të kthehet në operim në fillim të muajit prill të 2023 sipas parashikimeve.

Përpjekja për remontin e Njësisë A5 kishte filluar që nga gushti i 2022. Tenderi me procedurë të hapur për remont kapital të njësisë A5, i shpallur në fund të muajit gusht kishte dështuar pasi nuk kishte pasur ofertues andaj tenderi i dytë ishte hapur me procedurë të negociuar.

Për remontin e njësisë A5, KEK-u ka zhvilluar procedurën e negociuar me disa operatorë. Blloku A5 i termocentralit “Kosova A” ka kapacitet prej 210 megavatë për orë.

KEK gjatë vitit 2022 ka hapur dy tenderë për remontin kapital të këtij blloku i cili është jashtë funksionit por që vetëm më hapjen e tenderit me procedurë të negociuar ka arritur të nënshkruajë kontratë.

Kosova që nga fillimi i viti i 2022 është përballur me krizë energjetike ndërsa është bërë ‘zhurmë’ për vonesën e remontit kapital të A5 pasi që i njëjti do të ndihmonte në sasi më të madhe të energjisë.

Qeveria e Kosovës vazhdimisht ka paralajmëruar një dimër të vështirë sa i përket furnizimit me energji elektrike këtë vit, duke bërë vazhdimisht thirrje për kursim të energjisë elektrike, duke subvencionuar qytetarët që shpenzojnë më pak energji elektrike se vitin e kaluar e të tjerë për blerjen e pajisjeve për ngrohje.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në njërin nga deklarimet kishte thënë se një megavat i energjisë elektrike në sezonin e dimrit mund të shkojë deri në 1,000 euro. Sipas bursës hungareze të energjisë, HUPX Hungarian Spot Index, çmimi i një megavati sot po shitet 189 euro.

Për shkak të krizës energjetike në Kosovë në gusht të vitit 2022, Kosova është përballur me reduktime të energjisë elektrike. Kompania për distribuimin e energjisë në Kosovë, KEDS, kishte njoftuar se nuk kanë mundësi financiare që të blejnë energji elektrike andaj do të furnizohen vetëm nga prodhimi vendor.

Kosova kishte paguar mbi 200 milionë euro për import të energjisë elektrike dimrin e kaluar për shkak të krizës energjetike dhe mosprodhimit të sasisë së duhur të energjisë  nga KEK.